Basha: Shumica e dërmuese e shqiptarëve është e etur për ndryshim
Kryedemokrati Lulzim Basha në emisionin Tempora në Ora Tv me gazetaren Sonila Meço deklaroi se 25 prilli është dita e shqiptarëve.
“Është dita e qytetarëve. Nuk është dita e partive politike. Nuk është dita e udhëheqësve politikë. Është dita e vetme ku shqiptarët me votë kanë përgjegjësinë për të vendosur dhe përgjegjësia do të jetë e tyre. Vota do të jetë për ta dhe familjet e tyre.
Skandali tregon se shteti shqiptar nën drejtimin e kryeministrit në ikje dhe të një grupi të ngushtë njerëzish nuk ekziston më. Kjo është një arsye më shumë se pse me 25 Prill përmasat e bashkimit do të tejkalojnë ato të mbështetësve tradicionalë të opozitës apo të shqiptarëve që janë të etur për ndryshim, por do të përfshijnë shumë socialistë.
Shumica e dërmuese e shqiptarëve është e etur për ndryshim. Tani është në dorën e tyre ta bëjnë të mundur me votë. Ata që duan ndryshim të dalin masivisht të votojnë, kjo është garancia që një pakicë absolute mundon të ruaj status quo për veten e tyre dhe në kurriz të shqiptarëve do dështojë në çdo lloj marifeti që kërkon të përdorë. Nga kjo pikëpamje edhe kjo që ka dalë është një nga marifetet e radhës që tregojnë panikun që i ka kapur.
Ai që ka patur pushtetin duhet të japë llogari se çfarë ka bërë me pushtetin. Këtë, unë, ekipi im, fushata jonë po e bën çdo ditë. Ndërkohë që, pala tjetër jo vetëm që nuk angazhohet në një llogaridhënie por siç e shikoni po bëhen lloj lloj trukesh për t’i ikur të vetmes pyetje që shtrohet para tij nga qytetarët shqiptarë. Çfarë ke bërë këto 8 vite? Përgjigja është e qartë, asgjë. Kjo është dhe arsyeja pse refuzon debatin.
Të gjithë e kuptojnë, këto janë simptomat e një njeriu të dëshpëruar, i cili edhe njëherë e them, nuk ka përgjigje për pyetjen kryesore që duhet të përgjigjet një kryeministër që ka qeverisur jo katër por plot 8 vite. Çfarë ke bërë këto 8 vite për këtë vend?”, deklaroi Lulzim Basha.