Basha: Sulmi ndaj Kosovës, tregon frikën e PS-së nga humbja
"Halim Kosova është administratori për të cilin ka nevojë Tirana", kështu ka deklaruar kryetari i PD-së Lulzim Basha, duke iu kundërpërgjigjur akuzave të PS-së mbi kandidatin e djathtë.
Sipas tij përbaltja e kandidatit të opozitës, vjen pasi Rama dhe kandidati i tij kanë frikë nga humbja e thellë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
"Realisht është reagimi i një të friksuari, i cili pret humbje të thellë, pasi nuk mund të dalë para qytetarëve dy vjet pasi i mashtroi ata, prandaj ka zbritur në këtë pikë. Doktor Halimi është në kulmin e energjive. Energji plus përvojë baraz me drejtuesin e cilësisë më të lartë që meritojnë qytetarët. Frika e justifikuar e Ramës dhe e kandidatit të tij, e ka bërë të nisë ketë fushatë përbaltjesh. Kosova është njeriu i cili përmendet nga mijëra çifte. Kosova i bën nder Tiranës dhe Shqipërisë. Rama është fatkeqësia e Shqipërisë", tha Basha.
I Pyetur se kush e ka menaxhuar më mirë Tiranën, ai po kryeministri Rama gjatë kohës që ishte kryetar Bashkie, Basha tha se ka vetëm një përgjigje dhe ajo është puna e tij. Ndërsa theksoi se do të jenë qytetarët ata që do të japin përgjigje me votën e tyre më 21 qershor. "Përgjigjen për këtë e ka dhënë puna ime, këtë do ta japin edhe qytetarët me votë", tha Basha./