Basha sulmon kandidatët e majtë: Me shkollën e burgut dhe diploma fallco

 

Nga Vlora ku mbylli fushatën elektorale, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka sulmuar mazhorancën se në ndryshim nga opozita po ju ofron qytetarëve kandidatë të inkriminuar dhe pa arsimin e duhur.

Duke përmendur këtu kandidatin për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, që sipas tij disponon një diplomë fallco.

Basha: “Të flas për arsimin e kandidatëve tanë, e kush ky që një të katërtën e kandidatëve i ka me shkollën e burgut, të dënuar për krime dhe trafiqe. Po me kë e krahason ti, krahason profesorin e mjekësisë Halim Kosovën, njeriun e shërbimit, me një njeri me diploma fallco si Erion Veliaj. Krahason Gjush betonin me profesor. doktor Grida Dumën, krahason kumbarin e Elbasanit me profesor.doktor Ardian Turkun apo Filo kullën me rektorin e Universitetit të Korçës, profesor Gjergji Meron?”

Si përgjigje për akuzat e ngritura nga mazhoranca se premtimet e demokratëve nuk kanë të bëjnë me pushtetin vendor, Basha u përgjigjet:

Basha: “Mos fol për varfërinë, mos fol për papunësinë, vetëm për punët komunale, vetëm për ujërat e zeza.Ujërat e zeza dhe bataku janë ku ka rënë kjo qeverisje dhe kupola e saj”.

Kryetari i PD-së nuk i ka kursyer tonet e ashpra kur vjen puna te përballja e dy ofertave politike as në Fier ku u ndal më herët për të mbyllur fushatën elektorale.

Basha: “Mos shikoni flamujt partiakë, mos dëgjoni papagajt e demagogjisë, në fund të fundit kur mitingjet mbyllen politikanët hipin në Benza, disa prej tyre shkojnë në vila luksoze, shikojnë veten e tyre në televizion, ndërkohë që flenë në dyshekë plot me lekë, konto bankare të mbushura nga djersa juaj”.

Duke u ndalur tek alternativa e majtë për Bashkinë e Fierit, ish-deputetin e majtë Armando Subashi, Basha tha se ai përfaqëson oligarkinë pasi sipas tij ai nuk ka përfaqësuar interesat e qytetarëve kur në parlament diskutoheshin amandamente të rëndësishme si ulja e taksave apo ajo e çmimit të energjisë elektrike.

SHKARKO APP