Basha takim me këshilltarët bashkiakë të PD-së: Ata që i thonë vetes “shumë”, enden si zombi

Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë pasdite një takim me këshilltarët bashkiakë që kanë garuar nën logon e PD-së në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Basha është shprehur se këshilltarët e PD-së nuk duhet të bien në kurthin e numrave.

”Numrat e mëdhenj nuk i shërbejnë gjithnjë interesit të qytetarëve. Në këtë sallë ju gjendeni falë opozitarizmit të vërtetë dhe gjendet një energji për qytetarët shqiptarë. Mbi 120 zëra që nëse kumbojnë për zërat e qytetarëve që ju kanë votuar janë shumë. Bëhen edhe më shumë nëse keni parasysh se sot në situatën ku ndodhemi, të paktën janë zërat mes 140 të zgjedhurve të parlamentit qendror dhe atyre vendor që flasin për hallet e njerëzve.

Aty ku bëhet ping pong mes qeverisjes vendore e fantazmave të këshillave e qeverisjes qendrore. Për çdo rast ku. Qindra milionë euro për ujësjellës që nuk nxjerrin një pikë ujë, apo për të mbushur xhepat e një grupi kriminal të organizuar.

Ata që i thonë vetes shumë enden si zombi pa arritur të kuptojnë se domethënia e tyre për njerëzit e thjeshtë është zero. Numrat me të cilat rrahin gjoksin për qytetarët janë arsye më shumë për t’i kthyer shpinën kësaj kaste politike. Nuk bëhet fjalë për numra kur bëhet fjalë për llogaridhënie. Kjo nuk është çështje numrash, është çështje morali. Është çështje integriteti”, u shpreh Basha.

SHKARKO APP