Basha takon Plenkoviç: Do të bëj realitet Integrimin, si PD bëri me liberalizimin e vizave dhe NATO-n

Pas vizitës në Slloveni, kreu i PD-së Lulzim Basha është ndalur sot në Kroaci, ku zhvilloi një takim me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç. Pas takimit, Basha u shpreh se prioriteti i tij dhe i Partisë Demokratike është Integrimi në BE.

”Për mua dhe për Partinë Demokratike, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përshpejtimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë pas ngecjes në vendnumëro gjatë 8 viteve të këtij procesi. Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Kjo ka qenë në qendër të bisedës që kam zhvilluar me mikun tim, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç”,-tha Basha.

Kreu i selisë blu theksoi se siç bëri realitet liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, po ashtu do të bëjë realitet ëndrrën europiane. ”Unë jam i bindur se do të ja dalim siç bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, siç liberalizuam vizat, hoqëm vizat për shqiptarët, do të bëjmë realitet edhe Shqipërinë europiane me ndihmën e BE dhe vendeve anëtare duke përfshirë këtu Kroacinë mike dhe aleate”.

Duke e konsideruar turizmin një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij kur të vijë në pushtet, Basha tha se do të marrë nga Kroacia modelet më të mira.

SHKARKO APP