Basha: Të ndalim Ramën e Metën
Lulzim Basha kërkoi votën për Igli Kokalarin në takimin përmbyllës në Gjirokastër. Ndërsa nga mitingu elektoral në Klos, ka denoncuar atë që quajti presioni dhe terrori i pushtetit për votën e 21 qershorit
Përmes votës për kandidatin demokrat në këtë bashki, do të ndalet, sipas kreut opozitar, përpjekja dëshpëruese e të majtëve për të marrë nën kontroll edhe pushtetin vendor. “Sepse nuk u interesojnë hallet dhe problemet tuaja, sepse nuk u interesojnë zgjidhjet për hallet dhe problemet tuaja. Filozofia tjetër është e tyre, tjetër mendësi kanë ata, ‘kap çfarë të kapësh’. Kjo është filozofia e babëzisë, mendësia e babëzisë. Të gjithë pushtetin për vete, të gjitha fondet për vete, të gjitha paratë për vete dhe të gjithë hashashin për vete. Kjo është mendësia e Edi Ramës dhe Ilir Metës”, – tha Basha.
Kreu i opozitës, nga sheshi qendror i Gjirokastrës ka ripërsëritur platformën e demokratëve për rritje të punësimit, ulje të taksave dhe rritje rrogash. Kjo platformë, shprehu besimin ai, do të marrë votën edhe të socialistëve të ndershëm, që janë duke vuajtur po njësoj nga ajo që Basha e quan oligarkia Rama-Meta.
“Shqiptarët paguajnë taksa më të larta, fatura më të larta energjie, por ku shkojnë paratë? Vidhen dhe shpërdorohen. 150 milionë dollarë që nuk do të kthehen sepse i ka zhdukur oligarkia”, – tha kreu i opozitës.
Por mesazhi i Lulzim Bashës për të mbështetur Igli Kokalarin nuk ishte i ndarë nga akuzat e tij për deputetin e LSI-së në këtë zonë, Vangjel Tavo dhe kreun e kësaj force politike, Ilir Meta, kur tha se kandidatja e tyre në këtë bashki do të punojë sipas filozofisë së partisë që përfaqëson: shërbim ndaj LSI dhe jo ndaj gjirokastritëve. Basha tha se LSI nuk është Lëvizja Socialiste, por Lëvizja pazarsiste.
“Unë zotohem para jush që vota e 21 qershorit do të jetë një përgjegjësi e madhe. Edhe për mua, Lulzim Bashën, këto halle kërkojnë zgjidhje dhe me votën tuaj zgjidhje do t’i japim. Vota juaj është e shenjtë. Askush nuk do të guxojë t’i prekë ato”, – tha Basha.
Klosi
Lulzim Basha ka denoncuar po dje nga mitingu elektoral në Klos, atë që quajti presioni dhe terrori i pushtetit për votën e 21 qershorit. Por për kryetarin e opozitës, as presioni dhe as terrori nuk do të funksionojnë, pasi në besimin e tij, qytetarët shqiptarë nuk do të lejojnë atë që Basha e quajti vendosjen e diktaturës.
“Po në cilën demokraci vendos presioni, në cilën demokraci vendos terrori? Vetëm në diktaturë, po diktaturë nuk do të ketë! 21 qershori është festa e demokracisë, betejën e 21 qershorit nuk e vendosin të korruptuarit, nuk e vendosin banditët. Fatin e 21 qershorit e vendosni ju me votën tuaj”, – tha Basha.
Kryetari i opozitës iu kërkoi banorëve të Klosit të përdorin si duhet votën e tyre, prej nga ai beson se do të varet fati i gjithsecilit për punë dhe mirëqenie: “Jepjani votat platformës sonë sepse para se të jetë platformë politike, është platforma e shpëtimit, është platforma e bukës së gojës, është platforma e punës dhe dinjitetit për çdo banor e banore të Klosit dhe Shqipërisë”.
Në Bulqizë, Lulzim Basha gjithashtu shprehu besimin se dyshja Rama-Meta do të përballet me votën e ndëshkimit nga qytetarët në 21 qershor, për premtimet e pambajtura, varfërimin dhe shkatërrimin e pronës.
Ndëshkimi i qytetarëve për Lulzim Bashën është frika që ka kapur pushtetin: “Vota juaj është ligji suprem, vota juaj është ligj i ligjit. Bëjeni ligjin me votën tuaj, në 21 qershor. Votoni për PD-në, votoni për uljen e menjëhershme të çmimit të energjisë me 25%, faljen e kamatëvonesave, uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, rritjen e rrogave e pensioneve, uljen e menjëhershme me 20% përmes eliminimit të TVSH, të mallrave të shportës, të miellit, orizit, sheqerit, vajit, qumështit, bukës, sepse kohët janë mjaft të vështira për shqiptarët dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente, ka nevojë për shpresë e shpëtim të menjëhershëm”.