Basha te Teatri Kombëtar: Jam këtu për të vendosur vijën e kuqe, qytetarët t’u përgjigjen banditëve me çdo mjet(Video)

Teksa Bashkia e Tiranës vendos shembjen, kryedemokrati Lulzim Basha mbërrin te Teatri Kombëtar, ku eshtë bashkuar me artistët përpara godinës së Teatrit.

Basha do të qëndrojë gjatë gjithë natës me artistët në betejën e tyre dyvjeçare kundër shembjes së ndërtesës së teatrit.

“Këta janë një regjim hajdutësh dhe hajdutët gjithmonë përdorin hilen. 

Mbani mend se si shkuan në orën 5.00 të mëngjesit te Astiri.

Jemi i vetmi vend në botë kur qeveria në vend që të ndihmojë njerëzit në kohë pandemie, i grabit ata.

Jemi e vetmi vend në botë ku e gjitha vëmendja e Ramës është të grabisë pronat publike.

Koronavirusi, pandemia, treguan fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie, ndaj edhe për shqiptarët që të ndahen nga kjo batërdi duhet të largojnë shkaktarin.

Unë jam këtu për të treguar solidaritetin tim. Për të treguar një vijë të kuqe, Qytetarët duhet të tregojnë veten. Kur shteti bie në dorë të banditëve, qytetarët mund të zgjedhin t’u përgjigjen me çdo mjet”, deklaroi Basha.

Reagimi vjen ndërkohë që kryebashkiaku Erion Veliaj ka paralajmëruar se do të prezantojë të hënën projektin për ndërtimin e teatrit të ri.

Më herët këtë të enjte, kreu i demokratëve e konsideroi Teatrin si vijën e kuqe me të cilin do të përballet regjimi.

SHKARKO APP