Basha: Të varfrit në burg, paratë nga doganat e tatimet në xhepat e qeveritarëve

Kreu  i Partisë Demokratike thotë se mazhoranca u detyrua të pranojë mosmbledhjen e të ardhurave në dogana.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i demokratëve Lulzim Basha, thotë se atë që opozita ka muaj që e denoncon, qeveria e pranoi vetëm një ditë më parë dhe këtë e bëri duke manipuluar shifrat, pasi sipas tij, humbjet nga evazioni janë shumë më të larta se ajo e publikuar nga qeveria.

“Kemi muaj që flasim për mos-mbledhje të ardhurash dhe qeveria hesht. Më në fund dje e pranuan, edhe pse duke e fshehur shifrën reale të evazionit e cila është shumë më e madhe se kjo e deklaruara”, shkruan Basha.

Për Lulzim Bashën, humbjet justifikohen vetëm me korrupsionin në radhët e qeverisë.

“Fshihen me gjithfarë justifikimesh, por e vërteta është se paratë që i mungojnë arkës së shtetit kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve. Fusin paratë e qytetarëve në xhep dhe u tregojnë burgun atyre që luftojnë për bukën e gojës”, – tha në akuzat e tij kreu i  PD-së Basha.

 Një ditë më parë ishte deputeti Edmond Spaho që tha se dështimi në mbledhjen e të ardhurave përbën dështimin kryesor të një qeverie, e cila sipas tij në një rast të tillë pushon së funksionuari.

“Pranimi zyrtarisht i këtij dështimi nga Ministria e Financave ka nxjerrë në pah gënjeshtrat e Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë më parë, kur bëri bilancin, foli për arritje e suksese. Më e rënda për vendin është se këto 134 milionë dollarë që mungojnë në buxhet, që mungojnë në investime, në rrugë, shkolla, apo ujësjellës, kanë si origjinë korrupsionin. Janë 134 milionë dollarë që kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, ministrave dhe klientelës së Edi Ramës”, theksoi Spaho.

SHKARKO APP