Basha uron 8 Marsin: Ju, gratë e Shqipërisë, jeni forca e vendit, meritoni një qeveri që kujdeset për ju

Kryetari i PD, Lulzim Basha, surprizoi sot 10 zonja, përfaqësues të fushave të ndryshme, të cilat ishin mbledhur për te festuar 8 Marsin.
Kreu demokrat, gjeti pak kohë dhe u shkëput nga zyra duke u shfaqur në restorantin ku ato po drekonin dhe u dhuroi lule e për disa momente u bë pjesë e festës së tyre.

“Është vërtet e mrekullueshme që po takohem me ju sot. Ju kam sjellë lule për të nderuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas”, – u shpreh Basha ndërsa ndau buqeta me lule për zonjat.

Basha tha se Shqipëria është e fortë nëse gratë janë të forta.

“Ju, gratë e Shqipërisë jeni fuqia e vendit tonë. Pa gra të forta, nuk ka Shqipëri të fortë. Me gra të forta Shqipëria mund të përballet me çdo sfidë dhe ne kemi plot sfida para nesh. Luftën kundër dhunës ndaj grave e vajzave dhe mposhtjen e stereotipave gjinorë”.

E për të pasur një grua ballë të sfidave të vendit, sipas Bashës duhet së pari fuqizimi ekonomik i gruas, duke i dhënë asaj mundësi e të drejta të barabarta.

“Mbështetjen dhe fuqizimin ekonomik të grave, duke u mundësuar të drejta të barabarta në tregun e punës, përfshirë këtu edhe barazinë e pagave mes burrave e grave dhe luftën ndaj diskriminimit për faktin se janë gra, duke mos u shpërblyer, duke ua vështirësuar rrugën e duke mos i motivuar, edhe pse kanë të njëjtin profesion dhe bëjnë të njëjtën punë”, – u shpreh Basha gjatë bisedës me gratë.

Basha ftoi gjithë gratë, ashtu si gjithë shqiptarët të bashkohen për të sjellë ndryshimin që meriton cdo grua, atë ndryshim që do të sjellë për Shqipërinë vota e 25 prillit.

“Së bashku do t’i sjellim ndryshimin Shqipërisë. Një ndryshim që shqiptarët e presin prej kohësh. Ndryshimin që na duhet për të arritur suksese pas 8 vitesh, në të cilat Shqipëria ka mbetur në vend numëro në të gjitha drejtimet.
Së bashku do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do të fitojë”, – tha Basha.

Urimi ne rrjetet sociale

Kreu i PD-së, Lulzim Basha uron përmes një postimi në Facebook Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Basha shkruan se gratë e Shqipërisë janë forca e vendit dhe pa to nuk ka një vend të fortë.

Basha shton se gratë meritojnë një qeveri më të mirë dhe një qeveri që kujdeset për to.

Basha: Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas duhet të kujtojmë se: Ju, gratë e Shqipërisë, jeni forca e vendit tonë. Pa gra të forta, nuk ka një Shqipëri të fortë. Me gra të forta – Shqipëria mund të përballet me çdo sfidë, dhe ne padyshim që kemi shumë sfida përpara nesh. Ju meritoni një qeveri më të mirë. Një qeveri që kujdeset për ju. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas të gjitha grave shqiptare!

SHKARKO APP