Basha: Vota e 21 Qershorit detyron Ramën të ulë cmimin e energjisë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në mbylljen e fushatës elektorale në Mirditë, ku theksoi se në dy vjet qeveria, varfëroi qytetarët, mbylli mijëra vende pune, dyfishoi çmimin e energjisë.
“Qeveria për dy vite me radhë nuk punoi asnjë ditë, për t’ju a bërë jetën më të lehtë juve, por ju a bëri më të vështirë sepse shtoi e rriti barrën e taksave. Ju a bëri më të vështirë, sepse po i bën mirditorët të paguajnë dyfish çmimin e energjisë dhe dy herë më lart se rajoni, ju a bën më të vështirë sepse çdo ditë me kërbaç në dorë, me bllok gjobash në dorë nuk mendon punësimin e qytetarëve por burgosjen e tyre”, u shpreh Basha.
Sipas tij, bashkimi i qytetarëve e ka detyruar Edi Ramën të pranojë se ka shtuar varfërinë, mjerimin pasigurinë në këto dy vjet keqqeverisje por pavarësisht kësaj, ai nuk bëri dhe nuk po bën asgjë për të ndihmuar qytetarët. Propozimi i tij është dyfishimi i çmimit të ujit të pishëm.
“I ballafaquar me bashkimin më të madh popullor në sheshet e qyteteve tona, nga veriu në jug, Rama është detyruar ta pranojë se varfëria është rritur, se papunësia është shtuar, se çmimet dhe taksat janë rritur, se shqiptarët paguajnë më shumë, fitojnë më pak, jetojnë më keq.
Është detyruar se s’ka nga t’ia mbajë. E ka kuptuar se s’i ecën më as me shantazhe, as me sondazhe, as me kërcënime, as me presione,por nuk ofroi asnjë shpjegim se pse kur kishin dhe kanë gjithë pushtetin, pse nuk bëjnë diçka për t’ju ndihmuar”, theksoi Basha.
Ai theksoi se vota e bashkuar e qytetarëve me 21 qershor do të bëjë realitet ofertën e PD për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë, falje kamatvonesa mbështetje biznesit për hapje vendesh të reja pune.
“Harxhon gjithë kohën duke shpifur e duke thënë, opozita nuk i ul dot taksat, opozita nuk e ul dot çmimin e energjisë. E vërteta është se opozita parlamentare i çoi këto amendamente në Parlament dhe ky që i digjet barku për popullin i hodhi poshtë. Ne nuk i kishim kartonat, ti i ngrite kartonat kundër popullit por kur populli në 21 qershor të ngrejë kartonat për veten e tij, harroje se mund ta frenosh, bllokosh apo shpërfillësh vullnetin e tij sovran. Vota e popullit në 21 qershor do të të detyrojë, do të ulësh çmimin e energjisë dhe do të falësh kamatë-vonesat”, tha kreu demokrat.