Basha: Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka ngritur shqetësimin që po kalon biznesi për shkak të situatës me koronavirusin.
Basha thekson se janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lek ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi, ndërsa sipas tij bizneset po përballen me vështirësi të mëdha.
Mes të tjerash demokrati Basha tha se qeveria ‘Rama’ i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve, duke shtuar se “Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta”.
“Pjesa më e madhe e qytetarëve që takoj në Tiranë i kanë respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit social. Megjithatë shqetësim serioz mbetet situata ekonomike e rënduar nga pandemia e COVID-19. Janë të shumtë qytetarët që nuk kanë marrë asnjë lekë ndihmë për kohën e kaluar mbyllur në shtëpi. Edhe bizneset përballen me vështirësi të mëdha. Mungesa e ndihmës rrezikon mbylljen e shumë prej tyre ndërsa të shumtë janë dhe ata që janë detyruar të heqin të punësuar nga listëpagesat.
Qeveria Rama i la pa ndihmë shumicën e qytetarëve dhe bizneseve. Rinisja e aktivitetit normal është shumë e vështirë për ta tashmë që veç faturave dhe taksave të larta, përballen me uljen e numrit të blerësve dhe ankthin për të ardhmen e pasigurt.
Xhepat e shqiptarëve janë shkundur nga pandemia ekonomike e qeverisë Rama. Asnjë formë propagande dhe cirku qeveritar nuk e fsheh dot pasigurinë dhe varfërinë e tejskajshme që po pllakos në familjet shqiptare”, shkruan Basha.