”Bashkë për Shqipërinë”, Mediu nis fushatën në Tiranë: Të votohet për këshilltarët e PR dhe Belind Këlliçi
Sot nisi dhe zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit. ”Bashkë për Shqipërinë” është slogani që shoqëron fushatën zgjedhore të Partisë Republikane. Kryetari Fatmir Mediu, dha mesazh që çdo votë në 14 Maj të shkojë për Nr. 4, Partinë Republikane, në fletën e votimit për këshilltarë, ndërsa vota për kryebashkiakun të shkojë për Belind Këlliçin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Shihni te njerëzit e politikës njerëzit e gabueshëm. Shihni brenda jush dëshirën e pagabueshme të dashurisë dhe lumturisë. Të ngremë lartë rolin tonë si individë, të mbrojmë familjen si themel i shoqërisë, të vendosim drejtësinë mbi pronën private, të përulemi me respekt përballë të përndjekurve politikë, të ulim taksat, të mbështesim biznesin, punësimin, të zhvillojmë ekonominë familjare dhe kombëtare, të kthehemi në shoqëri solidare dhe të mirësisë”, tha Mediu.
Kurse kandidatët për këshilltarë të republikanëve, thanë se ata do të bëjnë fushatë për një Tiranë të jetueshme dhe me identitet. Ata theksuan nevojën për luftë të përbashkët për një Shqipëri europiane.