Bashkëpronësia, Mazniku takim me ndërtuesit: Garanton trajtimin e pronës sipas standardeve evropiane
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku është konsultuar me një grup ndërtuesish në vend, ku ka diskutuar risitë mbi draftligjin për bashkëpronësinë. Për të ky draftligj garanton trajtimin e pronës së përbashkët bazuar në praktikat më të mira të vendeve të BE-së.
Po ashtu Mazniku deklaroi se ky ligj i ri forcon rolin e bashkive dhe administratorëve në hapësirat e përbashkëta. Ministri shpjegoi se ligji detyron çdo pronë që ka më shumë se 4 apo 5 njësi bashkëpronësie të ketë një administrator të regjistruar pranë njësive respektive.
”Ndryshimet e propozuara synojnë të çojnë në një nivel të ri administrimin e hapësirave e pronave të përbashkëta, për një bashkëjetesë komunitare cilësore dhe të standardeve më të larta europiane. Një pjesë e mirë e njerëzve jetojnë në pallate, që kanë nevojë për mirëmbajtje, është e nevojshme që të kemi rregulla të reja dhe ndarje të qartë të roleve që ka bashkia, banorët, kryesia, administratori i objektit. Së pari, bashkitë do të kenë një libër të bashkëpronësisë, si një regjistër me të dhënat si është ndërtuar objekti, ka ashensor, ka asamble, ka depo uji. Një seri të dhënash për çdo objekt”, deklaroi ai.