Bashkëpunimi ekonomik me Kinën, kryeparlamentarja Nikolla pret delegacionin e çështjeve buxhetore
Intensifikimi i bashkëpunimit tregtar me Kinën në fushën e energjisë, turizmit, teknologjisë, infrastrukturës, bujqësisë etj, ishin në fokus të takimit mes Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe delegacionit të Komisionit të Çështjeve Buxhetore të Komitetit të Përhershëm të Kongresit të Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga Shi Jaobin.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla priti delegacionin e Komisionit të Çështjeve Buxhetore të Komitetit të Përhershëm të Kongresit të Republikës Popullore të Kinës, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Shi Jaobin, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Nikolla vlerësoi marrëdhëniet miqësore e tradicionale me Republikën Popullore të Kinës, shprehu besimin për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në çështje me interes reciprok, si dhe vlerësoi rolin tepër të rëndësishëm të Kinës si anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Duke mbështetur intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve, kryeparlamentarja Nikolla shprehu vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për nxitjen e këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme, si energjia, turizmi, teknologjia, infrastruktura, bujqësia etj., si edhe për rritjen e investimeve kineze në Shqipëri, duke shfrytëzuar më mirë mekanizmat ekzistues, si Komisioni i Përbashkët Ekonomik dhe marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara dhe ato në proces.
Kryeparlamentarja Nikolla vuri në dukje se bashkëpunimi parlamentar përbën një dimension të rëndësishëm për të forcuar lidhjet midis dy vendeve. Jaobin falenderoi Nikollën për pritjen dhe vuri në dukje se gjatë vizitës dhe takimeve në Shqipëri konstatoi dëshirën e përbashkët për të nxitur bashkëpunimin dypalësh, i cili mbështetet në miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë.
Jaobin vuri në dukje se ritmet e shpejta të rritjes së ekonomisë kineze janë një potencial i rëndësishëm edhe për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Shqipërinë. Kryetari i Komisionit të Çështjeve Buxhetore, Shi Jaobin, i përcolli kryetares Nikolla përshëndetjet e kryetarit të Kongresit Kombëtar të Popullit të Republikës Popullore të Kinës, Li Zhanshu, dhe ftesën e tij për një vizitë zyrtare në Kinë.