Bashkëshortja e ambasadorit italian në Tiranë shkruan për 2 korrikun e vitit 1990
Retrospektivë, 1990. “Ditar nga Shqipëria (1990)”, autore profesore Annarosa Manetti, bashkëshortja e ambasadorit italian në Tiranë (1988-1991) Giorgio De Andreis. Libri është botuar nga IH.
2 korrik 1990: ….Nuk e di sa kjo është e vërtetë, por ditët e fundit ne po bënim shaka me stafin gjerman, duke u thënë se kundërshtarët e regjimit mesa duket nuk kanë shumë besim tek Gjermania, përderisa futen në të gjitha ambasadat, përfshirë edhe ato të vendeve totalitare, përveçse në atë gjermane.
3 korrik 1990: Përplasja që i trembeshim ndodhi dje, por jo këtu tek ne. Rreth orës shtatë të mbrëmjes një kamion me tridhjetë e katër persona brenda hyri në ambasadën gjermane, duke shkatërruar murin rrethues. Pas pak, ndodhi një tentativë për t’u futur në ambasadën greke ngjitur, në të cilën vetëm një person arriti të hynte, por një turmë e madhe njerëzish u mblodh në rrugë dhe rrugicat në afërsi. Në rrëmujën e krijuar, pati një përpjekje për të hyrë në të çarën që mbeti hapur në murin e ambasadës gjermane dhe atëherë policia qëlloi mbi turmën. Nuk dihet se sa të vdekur dhe të plagosur ka: rreth 80 të shtëna me armë u dëgjuan dhe menjëherë më pas mbërritën katër kamionë me skuadra të posaçme sampistë, të armatosur dhe të trajnuar për të shtypur trazirat.
Turma më në fund u shpërnda, por ndërkohë rreth tetëdhjetë vetë kishin arritur të hynin në ambasadën gjermane. Të plagosurit janë të shumtë, por mjekët shqiptarë thanë se nuk mund të bënin asgjë aty dhe se ata mund të ndërhynin vetëm në spital. Kështu, i plagosuri në gjendje më të rëndë u mor me vete, ndërsa të tjerët u mjekuan si mundën më mirë, në pritje të një doktori të përgjithshëm që mund të vijë sot nga Gjermania për t’u siguruar kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe sidomos për t’u qepur plagët.
Skena e përplasjeve duhet të ketë qenë e tmerrshme. Na u përshkrua nga disa nga bashkëpunëtorët tanë që jetojnë në rrugën e ambasadave, të cilët për t’u ndjerë më të sigurtë ishin mbledhur dhe kishin qëndruar gjatë gjithë natës të një apartament të vetëm. Shumë trupa të përgjakur ishin marrë në vendngjarje, shpesh pa mundur të dalloheshin nëse ishin të vdekur ose të plagosur. Në të njëjtën ditë, pra dje, të tjerë shqiptarë hynë në ambasadat e Francës, Çekosllovakisë dhe Egjiptit, duke e çuar në dyqind numrin e refugjatëve në 10 misione diplomatike (nga 18 ekzistuese në Tiranë).

KOHA JONË SONDAZH

