Bashkia e Tiranës jep lajmin e mirë për familjet e reja: hapen aplikimet për kreditë e buta
Bashkia e Tiranës ka rihapur programin e kredive të buta për familjet dhe çiftet e reja që duan të blejnë një shtëpi.
Familjet e pastreha në kryeqytet do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese.
Në njoftimin e Bashkisë thuhet se bazuar në Programin Social të Strehimit “Për Subvencionimin e interesave të kredisë njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar të paraqesin aplikimet e tyre (faza I) për “Programin Social të Strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë” pranë Njësive Administrative/Lagjeve nga data 06.12.2021 deri në datën 10.01.2022”.
Programi Social i Strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë synon të mbështesë blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetës. Kriteret bazë për paraseleksionimin e kërkesës së paraqitur nga individë/familjet e interesuara për të përfituar nga programi social i strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë”, do të jenë:
– individë të cilët në, momentin e paraqitjes së kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç;
– familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë pronësi një banesë;
– familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit;
– familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të percaktuar në tabelën e mëposhtme.
Që pas ardhjes së Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, program i “Subvencionimit të interesave të kredisë”, u rihap sërish pasi u mbyll nga administrata e mëparshme.