Bashkia: Ramës i ka ngelur “kastraveci” në gojë
Mes kryeministrit Rama dhe bashkisë së Tiranës janë nxehur tonet mbrëmjen e së hënës. Ishte kreu i qeverisë ai që në një dalje para medias nga selia e PS-së akuzoi kryebashkiakun aktual se nuk ka lënë shenjë as për mirë dhe as për keq në këtë dtyrë në fund të mandatit të tij. Rama tha se “për socialistët më shumë sesa një garë elektorale, është një garë për të ardhmen duke pasur parasysh që Tirana ka katër vjet që nuk qeveriset. Dhe duke pasur parasysh që më 21 qershor Tirana do të ndahet nga një kryetar bashkie që në historinë e kryeqytetit nuk do të mbahet mend për asgjë”.
Rama ka përmendur më pas kryetarët e Bashkive në vite dhe duke bërë ironi tha se “mjafton t’ju kujtoj se ka qenë dikur një Qemal Tafaj, të cilin asnjëri nga ju po as unë nuk e kemi njohur, por jam i bindur që të gjithë ju e dini që si Kryetar Komiteti vuri ca drita në Tiranë. Për të vazhduar pastaj me kryebashkiakët e pas rënies së regjimit komunist, të cilët që nga i ndjeri Sali Kelmendi që edhe ai për atë kohë bëri diçka dhe do të kujtohet për disa kioska dhe disa njësi shërbimi qoftesh e kështu me radhë, por diçka bëri. Tek një tjetër që hapi një fazë të re ndërtimesh të kuturushme të cilat më shumë e rënduan sesa e zhvilluan qytetin, por prapë diçka bëri. Pastaj tek pjesa tjetër ku unë isha kryetar bashkie, nuk jam duke e komentuar këtu sot. Ndërkohë që tek ky katër vjeçar nuk ka asgjë, qoftë edhe gabim. Asgjë! Thjeshtë, ju e dini atë shprehjen, “ashtu hyni ashtu doli, kastravec”- tha Rama dhe iku.
Nuk ka vonuar reagimi i Bashkisë së Tiranës. Në një njoftim të shpërndarë për mediat Bashkia thotë se “Kryeministrit më të paaftë dhe mashtruesit politik më ordiner në historinë e Shqipërisë i ka mbetur në gojë kastraveci i mashtrimit. Ky, që betonizoi Tiranën për 11 vitë është sot kryeministri që ka krimininalizuar pushtetin, ka rritur papunësinë, thelluar varfërinë dhe pasigurinë. I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bashkë me bllokimin e Bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndaj sot, është në panik sepse ora e përballjes po vjen dhe e pret ndëshkimi nga qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”.