Batutat e Tom Doshit për Fatos Nanon, Grida Dumën dhe Keti Bazhdarin
Kandidaturat e reja për pushtetin lokal nuk kanë mbetur pa u komentuar edhe nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, i cili gjatë pranisë së tij në Gjykatën e Lartë ka bërë batuta me gazetarët, një pjesë e të cilave po zbardhen sot në “Gazetën Shqiptare”.
Doshi duket se thumbin e ka pasur me kandidaten e PS-së për Bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari, për të cilën është shprehur se “ajo premton pistë për ski në Postribë, ndërkohë që atje njerëzit hanë bukë dhe qepë, ndërsa shumë komuna të tjera s’kanë ujë me pi”. Doshi nuk ka lënë pa diskutuar edhe kandidaten e PD-së për Durrësin, Grida Duma, duke u shprehur i habitur se përse mazhoranca po e sulmon kaq ashpër kohët e fundit.
“Po kjo puna e Gridës ç’është?” pyet Tom Doshi dhe gazetarët i përgjigjen: “PS-ja thotë që ka probleme me pronat, se ajo është edhe sharmante”, përgjigje me të cilën ish-deputeti i PS-së ka buzëqeshur. Ai është pyetur se përse nuk e zgjon Fatos Nanon nga gjumi dhe të krijojë një parti me të, Blushin dhe Gjinushin, dhe Doshi është përgjigjur: “Po të më ftojë Nano, e bëj menjëherë një parti, se mua më voton gjithë Shkodra edhe sikur të kandidoj për partinë e dreqit”.