BE apelon: Dialogu politik të zhvillohet në Parlament

Dy zyrtarët e Lartë të Bashkimit Europian, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan mbështesin rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës shqiptare në Parlament.

“Të dy grupimet politike kryesore të Parlamentit Europian, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Partitë Popullore Europiane, kanë mbështetur vazhdimisht Shqipërinë në proceset integruese dhe ndihen përgjegjëse për këtë.

Në respekt të kësaj, dialogu konstruktiv dhe i qendrueshëm politik mes shumicës dhe opozitës, sëbashku me debatin politik qe duhet të ndodhë në parlament, kjo është jetike për këtë proces”, thuhet në deklaratën e tyre.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se “pas ngecjes së dialogut mes grupimeve kryesore politike në Shqipëri dhe bojkotit të parlamentit nga Partia Demokratike, dy grupimet e Parlamentit Europian ua kanë besuar përfaqësuesve të tyre, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, misionin për të ndihmuar shumicën dhe opozitën që të rivendosin dialogun politik dhe të inkurajojnë opozitën që t’i japë fund bojkotit dhe të rifillojë punën në parlament”.

Fleckenstein dhe Kukan kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë dhe të mbështesin liderët respektivë në Tiranë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje dhe të arrijnë një marrëveshje në përputhje me kushtetutën dhe institucioneve politike.

Dy mesazhet që do përcjellin zyrtarët e lartë të BE -së për politikanët shqiptarë janë: – PE inkurajon opozitën që të kthehet në parlament, të rivendosë dialogun politik dhe pjesëmarrjen në punët e parlamentit; – PE inkurajon të gjitha partitë politike që të angazhohen në procesin e dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve të tjera publike.

SHKARKO APP