BE çel negociatat, Basha: Rama të përmbush kriteret. Nga lufta kundër krimit të organizuar te liria e medias
Ish-kryetari dhe deputeti i PD-së, Lulzim Basha thotë se vendimi i Bashkimit Europian për të nisur negociatat e anëtarësimit, është një hap që do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt plotësimit të një ëndërre që e ndajnë të gjithë shqiptarët. Po ashtu Basha ka renditur një sërë çështjesh që duhet të plotësojë qeveria ”Rama 3”, si kushte që të mundësojë integrimin e plotë të vendit, që për Bashën janë që nga lufta kundër krimit të organizuar te liria e medias.
Postimi i plotë
Vendimi i BE për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë është një hap që do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt plotësimit të një ëndrre që e ndajnë të gjithë shqiptarët, anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Hapi i sotëm është edhe një detyrim nga i cili nuk mund të ikë askush, për të përmbushur kriteret në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimit të reformës në drejtësi, çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe nga oligarkia.
Konkurencën e lirë si parakusht i zhvillimit ekonomik që krijon vende pune, reformën në administratën publike, respektimin e lirive dhe të drejtave të nëpërkëmbura të qytetarëve, lirinë e medias e mbi të gjitha garantimin e votës së lirë për shqiptarët. Kjo është e vetmja rrugë për ta bërë Shqipërinë si Europa.