BE çeli negociatat, Berisha: Me klauzolë përjashtimi për shkak të krimit. Rama i dëmshëm edhe për socialistët

Në bashkëbisedimin me të rinjtë në Durrës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quajti fatkeqësi që flamuri i Bashkimit Europian ka mbetur në duart e Edi Ramës. Berisha theksoi ndër të tjera, edhe se klauzola e futur në procesin e anëtarësimit për ngrirje të tij, është vendosur për shkak të Shqipërisë.

“Edi Rama sot ngriti flamurin e BE para Kryeministrisë. Ai flamur është flamur vlerash, i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë të paçmuara, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. E vërteta është që fatkeqësi më të mëdha për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte. Nuk ka ekzistuar më parë. E futi me insistim presidenti francez. Pse u them unë ju për Shqipërinë? Shqipëria është aksionere në këtë klauzolë për shkak të kriminalitetit shqiptar. Thotë, e keni dëgjuar, kriminalitet ka edhe Holanda, Franca. Po, ka. Por këtu nuk ka kriminalitet holandez, apo francez. Kurse atje janë bandat shqiptare. Kjo është arsyeja”.

Për ceremoninë e organizuar këtë mëngjes nga Kryeministri, Sali Berisha tha edhe se Edi Rama është i dëmshëm për socialistët, duke rikujtuar qëndrimet që mbajti në protestën e 7 korrikut, që e quajti armik të shqiptarëve.

“E kam deklaruar në 7 korrik, armik, e kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka. Nëse nuk ke votën, nuk ke liri, nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën”.

SHKARKO APP