BE do ndryshojë ligjet e sigurisë. Do jenë më të ashpra dhe survejim total telefonave
Samiti i Londrës kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik pritet të mbahet të enjten e ardhshme, për të parë progresin e bërë në luftën kundër tyre, si dhe gjetjen e mënyrave më efektive në këtë luftë, e cila ka marrë trajta të reja.
Detajet e takimit filluan të bëhen publike pas deklaratave të ish-shefit të shërbimit sekret britanik MI5, se ligjet antiterror të Britanisë janë të padobishme dhe të vjetëruara.
Lordi Evans, në një prononcim për gazetën e së dielës “Sunday Telegrah”, thekson se “aftësia e policisë dhe agjencive të sigurisë për të kryer këtë detyrë të rëndësishme për mbrojtjen e shoqërisë dhe njerëzve të pambrojtur është e kërcënuar nga teknologjia në ndryshim”.
Ka pasur shumë debate për dhënien ndaj këtyre strukturave të sigurisë më shumë kompetenca ligjore, për pasjen e një aksesi më të madh në teknologjinë e informacionit, komunikimin dixhital dhe rrjetet sociale të përdorura gjerësisht nga ekstremistët, për të komunikuar dhe koordinuar veprimet e tyre terroriste në Perëndim.
Samiti i Londrës, ku priten të marrin pjesë 20 ministra, përfshi edhe ata nga vendet arabe, do të drejtohet nga ministri i Jashtëm britanik, Philip Hamond, dhe homologu i tij amerikan, John Kerry.
Kryeministri britanik Cameron, në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan “CBS”, tha se Britania ndodhet përballë një kërcënimi të madh nga ekstremistët islamikë, përfshi edhe të ashtuquajturit terroristë të veçuar, që janë radikalizuar nga ato që kanë parë në internet, si dhe nga ideologjia helmuese e ekstremizmit islamik.
Gjasat janë se pas këtij takimi të nivelit të lartë në Londër, shumë ligje në Britani por edhe gjetkë, priten të ndryshojnë duke u dhënë më shumë hapësira ligjore agjencive të sigurisë, për të neutralizuar koordinimet dhe komunikimet dixhitale të terroristëve të ISIS. Do jene ligje te forta ne pergjime kudo e mbi kedo.