“BE do të na bëjë pjesë të vetën”, Rama: Moment historik, ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama u shpreh nga takimi në Athinë me bashkëatdhetarët shqiptarë, se ky është një moment historik për Shqipërinë sa i takon çështjes së integrimit në Bashkimin Evropian, pasi tashmë yjet tona dhe yjet e BE-së janë rreshtuar në një vijë të drejtë dhe BE do që ta bëjë Shqipërinë pjesë të vetën.

“Për Shqipërinë është hapur e njëjta dritare e njëjtë me ju dhe shqiptarët e Evropës, na është dhënë mundësia të shohim derën e fundit për të hyrë në BE. Për rrethana yjet tona dhe të Evropës janë rreshtuar në vijë të drejtë, siç ne duam të hyjmë në BE, ashtu edhe BE do të na bëjë pjesë të vetën. Kemi një afat kohor që kemi dakordësuar me ta që brenda vitit 2027 të mbyllim procesin e negociatave.

Është afati më i shpejtë që i është dhënë ndonjë vendi në historinë e negociatave, jo vetëm sepse ne i kemi bërë detyrat mirë, ata duan ta kenë Shqipërinë brenda vetes, por ama është një moment që nuk do të jetë aty për gjithmonë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë tani. Gjërat mund të ndryshojnë, por ne duhet ta shfrytëzojmë”, tha Rama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri u shpreh se ndër vite, Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e veta, por ka qenë Evropa që ka “dredhur bishtin”.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne këtu kemi qenë kur i kemi bërë detyrat shumë mirë dhe ata na dridhnin bishtin. Përpara se gjërat të ndryshojnë dhe ata të na e dredhin bishtin përsëri, ne duhet të hyjmë brenda. Dhe kur dera të mbyllet dhe të fillojë historia nga e para, ne të jemi anëtarë me të drejta të njëjta në BE dhe të ulemi krah për krah me Greqinë si dy vende të barabarta jo vetëm me zakon por edhe me ligj, jo vetëm me emocion por edhe me vulë. Si ne edhe Greqia të jemi bashkë tek yjet e verdha të flamurit të BE-së. Ky është momenti historik, është ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë”, pohoi Rama.

“Ngritja e dytë e flamurit të Shqipërisë, ngritja e parë u bë në 1912, por në të gjithë këto vite të sovranitetit të brendshëm ne nuk patëm sovranitet të jashtëm, në kuptimin që u pamë dhe u trajtuam si inferiorë, është fjalë e butë. Edhe për shkakun tonë. Edhe se i bëmë vetes gjëra të rënda. Sot, duke ngritur flamurin shqiptar atje (BE) i japim dimensionin e lirisë duke garantuar përgjithmonë liritë individuale të çdo shqiptari në hapësirën evropiane dhe brenda vendit të vet, të barazisë para ligjit, të çdo shqiptari dhe patjetër të standardeve të garantuara të bashkëjetesës”, theksoi Kryeministri.

Kryeministri tha se historia e përpjekjeve të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE ka qenë e ngjashme me atë të integrimit të shqiptarëve në Greqi ndër vite, duke u përballuar shpesh me paragjykime.

“Keni filluar çdo gjë nga hiçi duke përballuar paragjykime të mëdha, situata që do të rrëzonin përtokë edhe një elefant, por jo shqiptarin. Shqiptari nuk rrëzohet! Sidomos kur nuk ka rreth e rrotull miq e kushëri e parti, aty bëhet më i fortë. Këtu, ju s’keni pasur asgjë tjetër përveç duarve, zemrës, mendjes dhe fëmijëve që duheshin rritur me patjetër.

Sot, unë mund të them që i njëjti ka qenë edhe rrugëtimi i Shqipërisë në raport me Evropën, me të huaj në raport me paragjykimet, njësoj siç kanë paragjykuar një djalë apo një vajzë, një nënë apo baba, një të ri ashtu kanë paragjykuar Shqipërinë, njësoj siç kanë poshtëruar një familje shqiptare këtu në atë kohë”, pohoi Rama.

“Por, në rastin e Shqipërisë poshtërimi është për tu diskutuar nëse ka ardhur më shumë nga të huajt, apo nga brenda, nga vetja. Nga ata që është dashur ta përfaqësojnë Shqipëri me dinjitet”, u shpreh Rama.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?