BE: Shqipëria e vendosur në reformën në drejtësi, duhet përgëzuar
“Shqipëria ka treguar vendosmëri në reformën e sistemit të drejtësisë, kjo është për t’u përgëzuar”.
Kështu është shprehur sot ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, në konferencën “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, në të cilën merrnin pjesë ministri i Drejtësisë, Nasip Naço; ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, Shefi i Misionit Euralius IV, Rainer Deville, si edhe ekspertë vendas e të huaj të sistemit të drejtësisë.
“Vendimet e sistemit gjyqësor janë ende të ndikuara nga politika dhe korrupsioni, – tha Vlahutin në fjalën e saj përshëndetëse. Për këtë arsye, sipas saj, një sistem gjyqësor efiçent dhe i përgjegjshëm është tepër i rëndësishëm për investitorët e huaj. Shqipëria ka treguar vendosmëri në reformën e sistemit të drejtësisë, kjo është për t’u përgëzuar”.
Shkalla e përfshirjes sipas saj, së të gjithë aktorëve në reformën e sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme, por edhe shkalla e përfshirjes së ekspertëve dhe publikut, gjithashtu. “Theksoj se është e nevojshme të ketë mbështetje më të madhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces të vështirë. Mendoj se është thelbësore të shohim ecurinë e Shqipërisë dhe faktin se ky vend ka institucione demokratike dhe që respektojnë të drejtat e njeriut,” theksoi ambasadorja.