BE vendos këtë javë/ Rama: Brukselit gjithnjë i del ndonjë problem, nuk habitem

Rruga e Integrimit prej vitesh nuk është afër Shqipërisë. Kjo javë është vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të dyja vendet shpresojnë që në agjendën e ngjeshur të Brukselit zyrtar, që do të mbledhë Këshillin e Ministrave, të shtohet dhe pika për miratimin e kuadrit negociues për to.

Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, një nga mediat më të fuqishmë në Francë, kryeministri Edi Rama tha se nuk do të surprizohej nga asnjë vendim i Brukselit zyrtar lidhur me kuadrin negociues, qoftë ai dhe negativ. Sipas kryeministrit, pavarësisht se Shqipëria i ka plotësuar kushtet, problemet e brendshme të Brukselit e kanë zgjatur shumë procesin.

“Para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet”, tha Rama.

Intervista e plotë

Mirëdita, në intervistën e sotme në Francë24 do të flasim për Shqipërinë, një vend i Ballkanit me 2,8 milionë banorë dhe një diaspore prej dy milionë në Europë, që shpreson hapjen zyrtare, javën e ardhshme, të bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, të bllokuara për një kohë të gjatë. Kemi të ftuar sot kryeministrin e saj socialist, Edi Rama.  Kryeministri Edi Rama, mirëserdhët në Paris, që ju e njihni mirë pasi ju keni studiuar këtu për Artet e Bukura. Ju keni fituar zgjedhjet parlamentare të 25 prillit për të tretën herë rresht, që është një rekord për një vend ish-socialist që hyri në pluralizëm në vitin 1991 dhe në një kuadër tensionesh politike shumë të forta. Do të flasim për këtë, por do të fillojmë me menaxhimin nga ana juaj të krizës së COVID-it; Së fundmi, ambasadorët e 27 vendeve dhanë miratimin për përfshirjen e vendit tuaj në territorin e tij ku edhe udhëtarët e pa vaksinuar mund të pranohen. A planifikojnë bashkëqytetarët tuaj të udhëtojnë shumë?

Po, qytetarët tanë parashikojnë të udhëtojnë shumë. Për më tepër, siç ju e thatë mirë, një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton përtej kufijve të Shqipërisë dhe për ne ky ka qënë një lajm shumë i rëndësishëm, sepse kemi bërë një punë mjaft serioze për të luftuar pandeminë dhe me rezultate që janë vlerësuar nga të gjithë. Shqipëria ka qenë në krye të vendeve europiane si për përqindjën e vaksinimit dhe për shifrat e infektimit dhe të vdekjeve.

Vaksinimi juaj nuk është plotësisht masiv, jeni në shifrat e 50% për të vaksinuarit me dy doza. Cilat vaksina përdorni ju në Shqipëri dhe a mendoni se vendet europiane kanë qenë mjaft solidare me ju dhe ju kanë ndihmuar për sa u përket vaksinave?

Kur flas për vaksinimin masiv dhe për ritmin e vaksinimit, kam parasysh  statistikat e BE, sipas të cilave Shqipëria ka qënë prej muajsh në vendet e para; Shqipëria ka qenë deri dje në shifrat e 850 000 dhe në një vend më numrin aktual të banorëve kjo është shumë. Për sa i përket Europës, do të thoja se fillimisht ishte për të ardhur keq sepse të gjitha vendet e Ballkanit u lanë jashtë skemave të shpërndarjes, dhe në fakt, ne nuk ishim vetëm, por në një gjendje psikologjike mjaft të rënduar, sepse ne jetojmë me Europën. Ne në Ballkan jemi në mes të Europës dhe jemi të kufizuar nga vendet e BE-së dhe duke parë në televizor se vendet e Europës kishin filluar të vaksinoheshin, jo, ishte me të vërtetë e rëndë.

Ju jeni vaksinuar tashmë, cilën vaksinë keni bërë?

Unë personalisht kam bërë Pffizer, por ne në Shqipëri i kemi të katërta, Pffizer, AstraZeneca, Sinovac dhe Sputnik.

Me kinezen apo rusen, cilëndo vaksinë qoftë, së fundmi ju u keni hapur plotësisht dyert turistëve. A nuk jeni të shqetësuar se mund të riinfektoni vendin?

Siç e thashë, ne patëm një sukses të madh me ecurinë dhe praktikisht bashkë me Islandën, sipas statistikave të fundit, jemi vendi me nivelin 1 të riskut. Që prej disa muajve tashmë, njerëzit në Shqipëri mund të hyjnë dhe të dalin pa detyrimin e testit, pa maska. Maskat nuk jane më të detyrueshme që prej disa muajve tashmë. Ato mbahen akoma në ambientet e mbyllura, por nuk ka probleme dhe masa që i detyrojnë qytetarët të mos jenë të lirë.

Ju shpresoni hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Është e vërtetë se ka pasur një bllokim nga ana e Francës, por ai është hequr. Parlamenti holandez miratoi vlerësimin e Brukselit për vendin tuaj lidhur me hapjen e negociatave. A shpresoni ju se kjo do të arrihet në samitin e ardhshëm, më 24 e 25 qershor ?

Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit. Sidoqoftë, ka qenë i bllokuar edhe nga pandemia.

Sidoqoftë, ka qenë i bllokuar edhe nga pandemia. Ju jeni kryetari i Partisë Socialiste. Ju jeni zgjedhur kryeministër në 2013, pas një fushate plot debate, e vlerësuar si pak demokratike dhe transparente nga BE-ja, pastaj kjo u përsërit në 2017 me mazhorancën tuaj në parlament dhe u rizgjodhët për herë të tretë më 25 prill 2021. Zgjedhje të kontestuara, një fushatë e karakterizuar nga fyerje dhe akuza për korrupsion. Unë kam qenë katër herë në Shqipëri dhe kam parë se fushatat nuk janë asnjëherë të qeta. Si e shpjegoni ju?

Sa për fillim, fushatat e qeta nuk mund të quhen fushata. Nuk ka patur gjatë zhvillimit të kësaj fushate ngjarje jashtëzakonisht të forta. Por, jemi në Ballkan, në Mesdhe, ku fushatat janë shumë-shumë të ngjashme po të krahasohemi me Greqinë, me Italinë, le të themi në Europën më pasionante.

I akuzuar për vjedhjen e të dhënave personale të një milion zgjedhësve përpara këtyre zgjedhjeve parlamentare, që mund të ishin pak a shumë kontrolluar, zbuluar, shpërndarë, me frikën e një rikthimi të kontrollit si në kohën e komunizmit?

Jo, gjatë fushatave që ju përmendët dhe pas rezultateve të tri zgjedhjeve tashmë, kemi pasur raporte të OSBE-së dhe ODIHR-it, që janë mjaft të qarta rreth integritetit të fushatës, integritetit të zgjedhjeve, por sigurisht me gjëra për t’u përmirësuar. Lidhur me këtë fakt, jam shumë i kënaqur që ju më pyesni, sepse kam parë që ka pasur artikuj surrealë edhe në Francë. Nuk bëhet fjalë për të dhëna personale konfidenciale që kanë dalë, por bëhet fjalë për të dhëna të organizatave të partive, por që nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat personale dhe konfidenciale të Gjendjes Civile.

Të Gjendjes Civile me numrat e telefonit?

Së pari, Regjistri i Gjendjes Civile ka qenë i publikuar në internet që prej disa vitesh. Së dyti, doja të shpjegoja se në kartën tonë të identitetit, numri i gjendjes civile nuk përfaqëson asnjë të dhënë për personin. Është vetëm një numër identiteti për të përdorur këtë kartë në shërbimet publike, por nuk ka të dhëna sensitive.

Brukseli e konsideron luftën kundër korrupsionit një nga kushtet për anëtarësimin tuaj në BE dhe ky sektor prek vetë sistemin e drejtësisë. Një ish-kryeprokuror shqiptar është dënuar me dy vjet burg për korrupsion. Nëse gjykatësit janë të korruptuar, atëherë po kërkohen gjyqtarë me integritet në Shqipëri?

Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme si në nivelin e qeverisjes apo edhe të pushtetit gjyqësor, atëherë Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së sot. Ka një arsye pse ne jemi të ndershëm në këtë betejë për të reformuar sistemin e drejtësisë, dhe unë besoj se është krejtësisht e kundërta. Për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit, pandëshkueshmëria ia ka lenë vendin shtetit të së drejtës dhe nëse ka një prokuror të përgjithshëm apo ish-personalitete si në sistemin gjyqësor edhe në sistemin politik në përgjithësi që dënohen, atëherë kjo është një shenjë shumë e mirë që tregon lindjen e diçkaje që është shumë e rëndësishme, shteti i së drejtës. Pikërisht për këtë ne duam të vazhdojmë procesin e bisedimeve sepse kjo na mundëson të ndërtojmë një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale, dhe nëse nuk do të kishim këto në këtë rrugëtim, sigurisht Këshilli Europian nuk do të kishte marrë asnjëherë në konsideratë, qoftë edhe në një tryezë Shqipërinë për të filluar bisedimet.

SHKARKO APP