BE vlerëson Shqipërinë, por derën se hap
Nga: Redjon Shtylla
Edhe një herë tjetër, Komisioni Europian vlerëson Shqipërinë dhe në progres-raportin e fundit, kërkon çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Paçka se jetojmë në pandemi, Shqipëria ka vijuar sipas raportit, që të tregojë përkushtim ndaj reformave të orientuara nga BE-ja dhe ka dhënë rezultate të qëndrueshme.
Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të hyrë në BE. Për të shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ.
Në raport vlerësohet progresi i bërë me Reformën në Drejtësi, por edhe me reformat gjithëpërfshirëse në vend. Reforma Administrative Territoriale është një tjetër pikë e prekur në Raport ku theksohet se duhet të vijojë decentralizimi i pushtetit lokal dhe të bëhet më shumë për autonominë dhe financat e bashkive. Kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Përpos vlerësimit të madh, një pikë shqetësuese është 25 prilli, dhe në raport thuhet se problem mbetet përdorimi i funksioneve publike për fushatë zgjedhore, blerja e votës dhe patronazhistët. Raporti po ashtu konstaton se Shqipëria ka arritur njëfarë përparimi në luftën kundër korrupsionit ndërsa dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten të kufizuara, duke nxitur ende një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve brenda niveleve më të larta të Shtetit.
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos kërkoi që Bashkimi Europian të mbajë fjalën për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare për vendin tonë.
Edhe një herë tjetër vlerësohet Shqipëria, por dera e BE-së nuk hapet. Kryeministri Edi Rama është shprehet disa herë me tone të forta, madje kur ka thënë se në dasmën e parë dhe të dytën “nusja” nuk erdhi, ndaj nuk do të ketë përgatitje për dasmën e tretë. Raportet po duken një lojë për të mbajtur gjallë frymën pro-europiane në vend, por pritja e stërgjatë e lodh popullin dhe politikën.