Begaj dekretoi ligjin për Komisionet Hetimore, Rama: Iku koha kur Presidenti përdorte Kushtetutën si koktej molotov
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dekretit që Presidenti Bajram Begaj i bëri ligjit të ri të maxhorancës për Komisionet Hetimore pavarësisht apelit të opozitës.
Kreu i qeverisë thotë përmes një postimi në X, se ka ikur koha koha kur Presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë dhe në dëm të Shqipërisë. Rama thekson se ky vit do jetë ai i ndryshimeve të mëdha pozitive, pas një sërë arritjesh në 2023-in.
Sesioni i ri Parlamentar nisi me kaos të Hënën, pasi deputetët e PD-së vijuan me bllokimin e zhvillimit normal të seancës, madje duke mos lejuar Presidentin Begaj të marrë fjalën e tij në Foltore.
Postimi i plotë
Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë!
Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur.
Ka perënduar me kohë koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov, siç do të mbarojë po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të…
— Edi Rama (@ediramaal) January 18, 2024