Begaj ndez dritat e Presidencës për festat e fundvitit

Presidenti Bajram Begaj, ndezi dritat e pemës bashkë më fëmijët e ftuar nga e gjithë Shqipëria. Në këtë festë, të kthyer tashmë në traditë, morën pjesë këngëtarë të vegjël, valltarë, instrumentistë, si dhe nxënës të shkollave të ndryshme të vendit, të cilët kanë marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare përgjatë vitit 2024.

Institucioni i Presidentit të Republikës e ka kthyer në traditë kremtimin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri me fëmijët, të cilët, edhe këtë vit, me emocion e gëzim, ishin protagonistë dhe spektatorë të koncertit festiv. Zonja e Parë, Armanda Begaj, uroi fëmijët për sukseset e tyre në shkencë, art, kulturë dhe sport. Zonja Begaj theksoi në fjalën e mikpritjes se fituesit e medaljeve përgjatë vitit që po lëmë pas janë shembulli i duhur për bashkëmoshatarët e tyre dhe se gjithkush ndihet krenar për ta.

“Mirëmbrëma dhe mirëserdhët, të dashur fëmijë! Kjo sallë, e mbushur me kaq hare e gëzim, na lumturon të gjithëve. Këtë vit mes nesh kemi shumë kampionë të dalluar e të suksesshëm në shkencë, art e sport. Ata meritojnë një duartrokitje të madhe nga ne sot të gjithë.

Të dashur kampionë, përkushtimi dhe pasioni juaj për letërsinë, shkencën, artin, kulturën dhe sportin janë siguria që e ardhmja jonë do të jetë më e mirë. Ju jeni shembulli i duhur për të gjithë bashkëmoshatarët tuaj. Faleminderit që keni udhëtuar nga anembanë Shqipërisë për të ndezur sot bashkë dritat e pemës së festave të fundvitit! Fëmijë, ju lutem, një duartrokitje të madhe për prindërit, mësuesit dhe trajnerët tuaj. Pa vëmendjen, kujdesin dhe mbështetjen e tyre, ju nuk do të jeni të suksesshëm. Ju uroj të gjithëve festa të mbara, shëndet e vullnet për të realizuar ëndrrat tuaja! Gëzoni!”

Festa vazhdoi me kërcimet e valltarëve të Qendrës Kulturore Artistike Tiranë, këngët e interpretuara nga artistët e vegjël të Liceut Artistik të Tiranës dhe zëra të rrallë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, si dhe interpretime artistike e instrumentale nga nxënës që kishin fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare në fusha të ndryshme të artit.

Ekipi kampion ndërkombëtar në Judo nga qyteti i Kavajës ofroi për të ftuarit një ndeshje të këtij sporti, ndërsa festa kulmoi me dhuratat simbolike që Institucioni i Presidentit të Republikës kishte përgatitur për të gjithë miqtë e vegjël.

SHKARKO APP