Begaj në Prishtinë: Shqipëria u hapi dyert vëllezërve të dëbuar! SHBA, BE dhe NATO mbështetësit më të fuqishëm

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, këtë të mërkurë mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në nderim të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës. Në fjalimin e tij, Begaj tha se, ky është përvjetor i shenjtë për shqiptarët, ndërsa theksoi se Kosova ka pasur mbështetje nga SHBA, BE dhe NATO.

“Përulemi me nderim para martirëve dhe figurave të shquara. Sot nderojmë Ibrahim Rugovën, arkitektin e Pavarësisë, simbolin e rezistencës paqësore. Sot nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qëndrestar të çështjes kombëtare. Sot përulemi përpara Jasharëve, familjes simbol të martirizimit për Kosovën e pavarur. Kosova nuk ishte vetëm. Qindra vëllezër nga Shqipëria, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut e Diaspora iu bashkuan luftës. Shqipëria hapi zemrën dhe dyert e shtëpive për vëllezërit e motrat e dëbuar nga spastrimi etnik e gjenocidi i Millosheviçit. Kosova nuk ishte vetëm! SHBA-ja, Britania e Madhe, BE-ja dhe NATO ishin mbështetësit e fuqishëm të kauzës së saj. Ndërhyrja e tyre ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtë popullit që kërkonte lirinë. Ndërkombëtarët ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtet formimit të Kosovës”, tha Begaj.

Po ashtu Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, një komb dhe aspiratë e madhe. Kreu i Shtetit nënvizoi se Serbia dhe aleatët kanë bërë një fushatë keqdashëse për të njollosur luftën për çlirimin e Kosovës.

“Shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot. Në sfidat e kohërave, epokave dhe padrejtësive, shqiptarët e kanë të pacenueshëm shqiptarizmin. Kemi nevojë më shumë se kurrë për manifest krenarie kombëtare. Nuk lejojmë të vendoset barazimi mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet e mbijetesë të shqiptarëve në Kosovë. Nuk lejojmë që krimi të shfaqet si virtyt, kur miqtë tanë ndërkombëtarë janë për bashkëjetesën shqiptaro-serbe. Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Çdo betejë juaja, është beteja jonë. Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë”, theksoi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

SHKARKO APP