Begaj pret një delegacion të fondacionit arsimor turk ”Maarif”: Investimet në arsim janë të mirëpritura

Presidenti Bajram Begaj, ka pritur një delegacion të fondacionit arsimor turk ”Maarif”, i kryesuar nga Prof. Dr. Birol Akgün. Kreu i Shtetit vlerësoi misionin e këtij fondacioni që sikundër e tregon edhe emërtimi i tij, do të thotë ”ndriçim i mendjes përmes arsimit”.

Presidenti përgëzoi Akgyn për arritjet e deritanishme në Shqipëri, duke ndërtuar një cikël të plotë në edukim, nga sistemi parashkollor në doktoratë. Po ashtu Begaj vlerësoi bashkëpunimin me Turqinë si partner mjaft të rëndësishëm edhe në fushën e arsimit, tema që u prekën edhe gjatë vizitës së Presidentit të Republikës së Turqisë në Tiranë, Recep Tayyip Erdogan.

”Investimet në arsim janë gjithmonë të mirëpritura, por ato në arsimimin cilësor sigurisht që vlerësohen akoma më shumë”,-tha Begaj, duke vlerësuar kujdesin e këtij fondacioni në ngritjen e shkollave me infrastrukturë dinjitoze, por edhe me investim në përmbajtjen dhe kërkimin shkencor. Presidenti tha se hapja e ardhshme e degës së Universitetit Teknik të Stambollit në Tiranë, që u premtua nga Presidenti Erdogan gjatë vizitës së tij, do të ishte më tej standardet e arsimit në Tiranë. Fondacioni Turk Maarif operon në mbi 55 vende të botës.

”Maarif Albania” administron një rrjet shkollash të shtrirë në tri qytete: Tiranë, Elbasan dhe Shkodër. ”Maarif Tirana Campus”, ”New York Schools” (shkollë 9-vjeçare dhe e mesme), si dhe kopshti ”Maarif Farm Kindergarten”. Në këtë takim mori pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë, Tayyar Kagan.

SHKARKO APP