Begaj takim me Ahmetin dhe Grubin: Vlerësova zhvillimet pozitive në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve
Krerët shqiptarë në politikën e Maqedonisë së Veriut janë pritur në një takim nga Presidenti Bajram Begaj. Kreu i shtetit zhvilloi një takim me Kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin si dhe zv/kryeministrin e Parë dhe Ministrin për Sistemin Politik, Artan Grubi. ”Vlerësova zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve”,-shkruan Begaj në facebook.
Postimi i plotë nga Presidenti Bajram Begaj
Përshëndeta rolin e rëndësishëm të shqiptarëve dhe të partive politike shqiptare për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut në një takim që zhvillova sot me Kryetarin e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti si dhe zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive të Maqedonisë së Veriut, z. Artan Grubi.
Gjatë këtij takimi, vlerësova zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Është shumë e rëndësishme që faktori politik shqiptar në vendin fqinj të vijojë të kontribuojë në këtë drejtim.
Vetëm duke kontribuar të gjithë në këtë drejtim, do të mund të adresohen më mirë të gjitha problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.