Begaj takon ministrin saudit, kërkon mbështetje për njohje të reja të Kosovës: Linjë direkte Shqipëri-Arabi Saudite
Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim ministrin e Haxhit dhe Umres të Arabisë Saudite, Taufiq Bin Fauzan al-Rabiah. Në fokus të këtij takimi ishin marrëdhëniet shumë të mira politike në interes të bashkëpunimit dhe të zhvillimit të një axhende dypalëshe, mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, si dhe mbështetja për njohje të reja të Kosovës.
Presidenti Begaj i shprehu ministrit saudit të Haxhit dhe Umres falënderime për ndihmën humanitare dhe financiare që Arabia Saudite ka dhënë ndër vite për Shqipërinë në momente të vështira.
Kreu i Shtetit u shpreh për hapësirat që mund e duhet të shfrytëzohen për të rritur bashkëpunimin ekonomik, investimet direkte, si dhe mundësinë e vendosjes së një linje direkte mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, gjë që do të ndikonte pozitivisht jo vetëm në numrin e turistëve, por edhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.
Presidenti Begaj vlerësoi njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite, teksa kërkoi ndihmën për të zgjeruar numrin e këtyre njohjeve.