Beleri del nga burgu të hënën, dhe do të shkojë në Strasburg të betohet si eurodeputet

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, thotë se Fredi Beleri i cili është në burg, do të lejohet të kryejë betimin e tij në Parlamentin Evropian, pasi u kandidua nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe arriti të sigurojë votat e nevojshme për të qenë eurodeputet.

Sipas gazetës greke ”Protothema”, Beleri do të lejohet të udhëtojë drejt Strasburgut të hënën për të kryer betimin si deputet i Parlamentit Evropian. Ai do të fluturojë mëngjesin e së hënës për në Athinë, i cili do të jetë një stacion i ndërmjetëm dhe nga Athina do të shkojë në Strasburg. Ai pritet të mbërrijë në aeroportin e kryeqytetit grek, Eleftherios Venizelos në orën 12:30.

Fredi Beleri është dënuar për shitblerje të votës pasi u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit të vitit të kaluar në Himarë. Po ashtu KQZ vendosi heqjen e mandatit të tij si kryebashkiak, ndërsa procesi për zgjedhjen e kreut të ri të bashkisë Himarë do të kryhet në 4 gusht.

SHKARKO APP