Beleri dhe vetoja greke, ministrja Spiropali: Grindjet ballkanike të mos prekin Integrimin
As në Samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, marrëdhëniet Greqi-Shqipëri nuk rregulluan. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali thotë se Greqia nuk do ta përdorë një çështje bilaterale mes dy vendeve për të bllokuar proceset integruese nga Athina zyrtare. Spiropali theksoi se çështja Beleri është një çështje që i përket gjykatave dhe nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
”Nuk mund të komentoj as vendimet e prokurorive, as të gjykatave dhe as nuk jam drejtor burgu. Gjithmonë me Greqinë ne kemi patur marrëdhënien strategjike që kemi pasur dhe synojmë që edhe me Greqinë t’i thellojmë marrëdhëniet e bashkëpunimit. Shpresojmë që grindjet ballkanike nuk do ndërhyjnë në çështjet e integrimit europian. Shqipëria është sjellë në mes të Ballkanit si një vend europian.
Ne sot e mot kemi kuadrin më të plotë sa i përket të drejtave të minoritetve, ne nuk kemi sot asnjë pengesë për qytetarët që i përkasin kombësive greke apo dhe kombësive të tjera të integrohen tërësisht në jetën e vendit. Nuk ka mendime personale këtu pasi janë çështje institucionale dhe ligjore. Ne shpresojmë që Greqia të mos kthehet në një pengesë të padrejtë për çështjet europiane të Shqipërisë. Jemi besimplotë që marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve nuk do hyjnë në procesin integrues”, tha Spiropali në ”Euronews Albania”.