Belind Këlliçi dorëzon mandatin si deputet, kritika PD-së dhe politikës: Do ta luftoj me gjithë fuqinë time
Belind Këlliçi bën me dije se nga nesër do të dorëzojë mandatin si deputet, dhe do të vijojë fushatën si kandidat i koalicionit ”Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës. Një një fjalim në Kuvend kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, ka shprehur zhgënjimin për atë që ka parë dhe dëshmuar në këto kohë, ndërkohë që pritshmëritë e tij ishin të mëdha.
”Nuk mund ta fsheh, që largohem i pezmatuar, kur mendoj se si kryeministri i vendit tim ka lëshuar këtu fyerjet dhe etiketimet më të rënda ndaj opozitës dhe ku asnjë ditë nuk ushtroi atë që njihet si themeli i vlerave europiane, që është mbajtja e përgjegjësisë.
Kurrë nuk mbajti ai përgjegjësi për punët që kanë shkuar gjithnjë e më keq në vend, për braktisjen masive e shpopullimin e vendit nga të rinjtë, për rastet flagrante të korrupsionit e abuzimit të detyrës nga njerëzit më të afërt e më të pushtetshëm në këto 10 vite qeverisje, për thellimin e keqqeverisjes, për cënimin e votës, për varfërimin e skajshëm të qytetarëve tanë, për ngushtimin e hapësirave të lirisë, për kapjen e drejtësisë dhe të medias. Kurrë nuk mbajti asjë gram përgjegjësi kryeministri ynë.
Unë kam ende shumë për të mësuar, se për fat jam ende i ri. Por një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem”, deklaroi Belind Këlliçi.