Belind Këlliçi: Duhet të bëjmë analizë pse humbëm
Në garën për bashkinë e Tiranë, kandidati i PS-së Erion Veliaj mori me afro 60 mijë vota diferencë, por Belind Këlliçi nuk e pranon. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka reaguar për herë të parë, dhe thotë se rezultati nuk pasqyron realitetin, ndërsa theksoi se do të faktohet çdo shkelje.
“Jam këtu për të falënderuar mbi 100 mijë qytetarë që besuan dhe votuan ndryshimin në Tiranë. Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, për fat të keq, nuk pasqyron realitetin dhe nuk është një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve. Ky rezultat është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhunë ndaj administratës. Asetet publike janë vënë në dispozicion për të prodhuar këtë rezultat të sotëm. Ne po punojmë për të përgatitur dokumentacionin e plotë e për të faktuar çdo shkelje që është kryer”, tha Këlliçi.
Nga ana tjetër, ai tha se do të ketë edhe reflektim. “Unë e kam lexuar shumë mirë këtë fakt. Shoqëria jonë mesa duket kërkon diçka ndryshe dhe pret më shumë prej nesh. Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari. Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh”.