Belinda Balluku: Bordi nuk ndikon në rritjen e çmimit të karburanteve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku është pyetur nëse duhet shkrirë Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve në Shqipëri dhe ngritja e një strukture tjetër.

Pas mbledhjes së qeverisë, Balluku tha se bordi nuk ndikon në rritjen e çmimit të karburanteve, por vetëm bën transparencë për publikun.

Bordi i transparencës nuk ndikon në çmimin e naftës. Bordi është aty për të bërë transparencë publike. Ne si bord as nuk e rrisim dhe as nuk e ulim çmimin. Ka një abuzim në media nga politikanët. Flitet që çmimi i naftës ka rënë në bursa, ndërsa në Shqipëri ngrihet, fakt që është i rremë. Çmimi që i referohen zotërinjtë është çmimi i produktit krudo. Ndërkohë çmimi që ne i referohemi, ka të bëjë me çmimin e produktit. I referohemi bursës PLANT.

Është shumë e lehtë për të parë se si janë çmimet sot në bursë, a janë në ulje apo në ngritje. Përsa i përket pyetjes tuaj, dhe krahasimit me rajonin, e kemi thënë disa herë dhe kemi bërë një analizë se çfarë përmban çmimi në Shqipëri. Taksën e karbonit apo të qarkullimit, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut e paguajnë në mënyrë të veçantë, ndërkohë që në Shqipëri është e përfshirë në çmimin e karburanteve. Nëse do e shihni se sa i paguajnë taksat ata, do e shihni që çmimet shkojnë në të njëjtat nivele“, tha Balluku.

SHKARKO APP