Belinda Balluku: Premtuese atmosfera në Athinë, në ditën e parë të nisjes së procesit të regjistrimit
Atmosfera e nisjes së regjistrimeve për zgjedhjet e diasporës, duket premtuese. Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës, ka shpërndarë në rrjetet sociale një fotogaleri nga ajo që shqiptarët po e vlerësojnë si një kremte, mundësinë për të shprehur vullnetin dhe për të qenë faktor në zhvillimet politike, ekonomike dhe progresit të Atdheut.
“Athinë, në ditën e parë të nisjes së procesit të regjistrimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Së bashku me kolegët, drejtues politikë të Partisë Socialiste në disa qarqe në vend, ishim në Athinë, ku zhvilluam takime e diskutime me bashkëatdhetarët tanë, duke i informuar dhe qartësuar ata për procesin e regjistrimit dhe më tej akoma për pjesëmarrjen në procesin e votimit. Diaspora shqiptare ka qenë dhe do të mbetet një forcë e rëndësishme jo vetëm për lartësimin e imazhit të Shqipërisë në botë, por edhe për ndikimin që ka në zhvillimin ekonomik e social te vendit, shkruan Balluku në postimin e saj.