Belinda Balluku: Erion Veliaj e kam si vëlla, do ta mbështes për një mandat të tretë në Tiranë
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar se do të mbështesë Erion Veliaj në një mandat të tretë për kryetar të bashkisë Tiranë.
“Erioni ka shkëlqyer në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe popullariteti i tij tregon se e ka bërë punën shumë mirë. Ka mundësi që ta bëjë akoma më mirë në 4-vjeçarin tjetër. Ai ka tërë mbështetjen tonë, te çdo drejtuesi politik në PS, të çdo anëtari të PS. Kur sajojnë për mua e kuptoj se këto janë saga mediatike që duhen nga pak për ta bërë më interesante jetën politike në vend. Herë pas here më përmendet mua emri, emri i Erionit, po unë po gjej rastin, pasi nuk isha pyetur direkt për marrëdhënien me Erionin. Ne jemi dy njerëz që kemi lidhje me njëri-tjetrin jashtë politike. Jemi njerëz që na bashkojnë familjet tona. Erioni është një person shumë i rëndësishëm dhe për fëmijët e mi, pasi është nun i vajzës time. Takohemi edhe gjatë fundjavës për të ngrënë mëngjes me njëri-tjetrin“, tha Balluku mbrëmjen e djeshme në Euronews albania.
Përfundimisht edhe sajesat apo hamendjet se Erion Veliaj nuk shkon mirë me zv/kryeministren Balluku, rrëzohen.
Në fakt kur vendos pro Veliajt “Perandori” i madh, Edi Rama, çdo gjë ka mbaruar. Veliaj është kandidati zyrtar i PS në Tiranë. Problemi shtrohet se kë do të nxjerrë Opozita si kandidat rival.
Pra mbrëmë nga debatet dhe intervistat u mësuan dy gjëra:
1- E para Ilir Meta nuk do të kandidojë për kryetar Bashkie në Tiranë. Pra u tërhoq, pasi sondazhet treguan se nuk fitohet kundër Veliajt. Sondazhe të besueshme tregojnë se Veliaj është me shumë se 17 % në raport me opozitën. Të paktën për momentin.
2-Belinda Balluku nuk do të kandidojë për kryebashkiake në kryeqytet, por përkundrazi do të jetë mbështetëse e flaktë e Erion Veliajt.