BEN BLUSHI: TE SHTUNËN NË VLORË ME 41 SEKRETET

Nga Ben Blushi-
Ditën e shtunë do jem në Vlorë, për të prezantuar librin tim të fundit “ 41 Sekrete” të botuar nga Botimet Pegi. Ky libër, i cili që kur është botuar më ka sjellë shumë keqkuptime, sidoqoftë mbetet një botim i dashur për mua dhe ndoshta unik në llojin e vet.
I mësuar se letërsia është kryesisht një trillim, pra frut i fantazisë, dhe i stërvitur të krijoj personazhe nga asgjëja , siç bëjnë gjithë shkrimtarët, kurrë nuk do mendoja se do botoja një libër me jetë njerëzish të vërtetë.
Megjithatë, nevoja për të shkruar dhe për të treguar botën, nuk njeh kategori letrare dhe kështu besoj se kam sajuar një libër që nuk është as poezi, as tregim, as roman, as dramë, as publicistikë por është pak nga të gjitha bashkë.
Me pak fjalë, në këtë botim përshkruhet jeta e 41 njerëzve, e treguar nga ata dhe e rishkruar nga unë. Brumi është i tyre, furra është e imja.
41 personazhet e librit janë shumë të njohur apo janë krejtësisht të panjohur dhe meqë me të njohurit kam patur së fundi disa keqkuptime miqësore, po përmend vetëm disa të panjohur mes të cilëve është Nikita një ukrainas që jeton në Vlorë, është Frani një i verbër që duket si Kuazimodo i Viktor Hygoit, është Vjollandi një grua që në kohën e komunizmit ishte gjykatëse ne fshatin Dardhë, është Ibrahimi berberi im turk, është Julien Roche një biznesmen francez që bleu statujën e Stalinit, është Florenci një burrë që shet libra në Dhërmi, është Davidi një që lindi vajzë dhe tani është bërë djalë, janë dy miq të mi myslimanë në Kavajë të cilët kërkuan të më bindnin të bëhem edhe unë musliman dhe në fund është edhe Nedin Vlora ,nipi i Ismail Qemalit,ndoshta i vetmi vlonjat që nuk ka as një metër katror pronë në Vlorë dhe sa herë vjen jeton në hotel.
Këta burra dhe gra më kanë treguar jetët e tyre dhe unë i kam botuar sepse ato tregojnë Shqipërinë. Në një kuptim, ky libër nëse lexohet i plotë dhe 41 copat bashkohen me njëra-tjetrën, ato mund të tregojnë historinë e Shqipërisë në një formë tjetër.
Ky libër mund të ishte Historia e Shqipërisë e treguar nga 41 vetë.
Për mua është kënaqësi që kthehem në Vlorë me 41 Sekretet. Për herë të fundit kam qenë si shkrimtar në këtë qytet kur kam prezantuar librin “Otello Arapi I Vlorës” në pranverë të vitit 2009. Ky roman që është ndoshta libri im më poetik, tregon historinë e një skllavi me ngjyrë, që jetoi në Venecije dhe në Vlorë në shekullin e 15. Natyrisht në Venecije e trajtuan si shërbëtor, kurse në Vlorë si një kafshë. Meqë këto ditë cdo gjë që shkruaj kthehet në një shkëndijë që pastaj ndez një zjarr, nuk dua aspak që vlonjatët të cilët kanë gjithmonë kohë për sherr, të keqkuptohen.
Por ky është liibri.
Otello ishte njeriu i parë me ngjyrë që zbriti në Vlorë në vitet 1400 dhe imagjinoni çfarë traume duhet të ketë qenë për vlonjatët kuriozë të asaj kohe, të shohin një njeri të zi që del nga deti. Në folklorin tonë këto qenije, janë quajtur Bajlozë por Otello im ishte i brishtë dhe nuk e kishte këtë fuqi dhe as këtë përmasë përbindëshi.
I kujtova këto rradhë për të thënë se Vlorës dhe historisë së saj të lashtë, i kam dedikuar një libër i cili ka patur fat, sepse disa vite pas botimit u bë libri i parë shqiptar që merrte Cmimin Europian të Letësisë.
Tani nuk e di sa lexojnë vlonjatët, të cilët nuk kanë faj edhe nëse nuk lexojnë, sepse deti është libri më i madh i botës. Aty përfundon çdo histori që ka ndodhur dhe do të ndodhë.
Për të gjitha këto tema, unë do jem të shtunën në ora 17.00 në Vlorë në Hotel Kraal, miqtë e të cilit më kanë ftuar me shumë dashamirësi në këtë takim ku unë ju ftoj të gjithëve.
May be a black-and-white image of 1 person and text

SHKARKO APP