Ben Blushi: Unë, Gëzimi dhe fluturaket
Aktualitet Politikë E Hënë, 19 Dhjetor 2022 21:59
UNË, GËZIMI DHE FLUTURAKET
Nga Ben Blushi-
Takova një burrë që shiste lodra fëmijësh. Me një karrocë në plazh. Mbi karrocën e mbushur me lloj-lloj figurinash ngriheshin ca letra me ngjyra, që rrinin në majë të një shkopi dhe rrotulloheshin.
Si quhesh,e pyeta
Gëzim
Ca bën këtu?
Shes lodra,tha Gëzimi
Po këto që rrotullohen çfarë janë?
Fluturake
Hajde të të bëj një foto, i thashë
Jo nuk dua foto, tha Gëzimi
Atëherë hajde rri ngjitur me mua, i thashë
Po pse të rri ngjitur me ty, më pyeti Gëzimi
Që të bëjmë një foto bashkë, thashë unë
Unë të thashë që nuk dua fotografi, tha Gëzimi
Nuk do dalim ne në fotografi,thashë unë
Po kush do dali, pyeti Gëzimi
Hijet tona, thashë unë
Mi trego,tha Gëzimi
Ja ku jemi mbi rërë, thashë unë
Ou sa bukur, tha Gëzimi
Jemi ne të dy dhe dy fluturaket që ke mbi karrocën e lodrave,thashë unë
A të mbaj dhe nje fluturake në dorë,pyeti Gëzimi
Mbaje, thashë unë
Tani jemi ne të dy dhe tre fluturake, tha Gëzimi
Sa bën një fluturake,e pyeta
200 lekë,tha Gëzimi
Ti i blen 100 dhe i shet 200, thashë unë
Unë i blej 150 dhe i shes 200, tha Gëzimi
Pra ti punon për 50 lekë ?
Unë punoj kur fryn erë, tha Gëzimi
Po nëse nuk ka erë si rrotullohen fluturaket,e pyeta
Atëherë unë e krijoj erën,tha Gëzimi
Si e krijon erën,e pyeta
Duke i fryrë fluturakeve,tha Gëzimi
Cfarë punë është kjo, e pyeta
Kjo nuk është punë, tha Gëzimi
Por cfarë është, e pyeta
Është lojë,tha Gëzimi,ne bëjmë role të ndryshme
Cfarë rolesh bëni, thashë unë
Unë bëj erën, fëmijët bëjnë diellin, tha Gëzimi
Po ne të tjerët cfarë bëjmë, e pyeta
Ju bëni retë, tha Gëzimi
Pra ne jemi hijet e reve mbi rërë, thashë unë
Ju jeni hijet, tha Gëzimi
Njëlloj si në foto, thashë unë
Njëlloj si në foto, tha Gëzimi

KOHA JONË SONDAZH