Benet Beci fton ta vizitoni Muzeu i Qytetit të Shkodrës, si një mundësi për ta njohur qytetin përmes thesarit të trashëgimisë
Nga Albert Vataj
Mirëmëngjesi i sotëm nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ardhur si një ftesë për të ndalur për një çast në reflektim dhe njohje, përmes një simboli të çmuar të qytetit: Muzeut të Shkodrës. Me një publikim në rrjetet sociale, Beci e ka shoqëruar urimin e tij të së dielës me një mesazh që shkon përtej rutinës ditore — një thirrje për të rizbuluar historinë dhe trashëgiminë kulturore që qyteti mbart me krenari.
“Muzeu i qytetit është një ftesë dhe mundësi për t’u njohur me historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore,” shprehet ai, duke nxjerrë në pah vlerën e veçantë që ky institucion ka për identitetin e Shkodrës dhe për vetë qytetarin e saj.
Në një kohë kur përditshmëria shpesh na largon nga rrënjët dhe nga pasuria shpirtërore që trashëgojmë, muzeu bëhet një strehë e kujtesës dhe një udhërrëfyes për brezat që duan të kuptojnë më mirë se nga vijnë, çfarë kanë trashëguar dhe si mund ta ndërtojnë me vetëdije të ardhmen. Për turistët vendas dhe të huaj, vizita në Muzeun e Qytetit është më shumë se një ndalesë kulturore — është një përvojë që i fton të prekën me sy dhe ndjesi historinë e një prej qyteteve më të vjetra dhe më të pasura në trashëgimi në Ballkan.
Rikthimi i vëmendjes ndaj muzeut, përmes këtij urimi të thjeshtë e njëherësh domethënës, është tregues i qartë i rëndësisë që bartin këto institucione për jetën publike dhe vetëdijen qytetare. Ato nuk janë thjesht godina që ruajnë objekte të vjetra, por janë tempuj të kujtesës, pasqyra të identitetit dhe burime të pashtershme frymëzimi.
Në Shkodër, qytet me rrënjë të thella historike dhe me një jetë kulturore të spikatur ndër shekuj, Muzeu i Qytetit nuk është vetëm një vend për të parë të shkuarën — është një mënyrë për ta jetuar atë me dinjitet dhe për ta kthyer në burim krenarie dhe vetëdije për të sotmen.
Me këtë mesazh, Kryebashkiaku Benet Beci na kujton se historia nuk është e largët — ajo është mes nesh, e pranishme, e prekshme. Mjafton të hapim derën e muzeut dhe të dëgjojmë zërin e saj që flet për Shkodrën e djeshme, të sotme dhe të nesërme.
KOHA JONË SONDAZH

