Benet Beci: Investimet britanike janë një mundësi reale për zhvillim ekonomik e kulturor

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci përmes një postimi të ndarë në rrjetet sociale, ka bërë prezent vlerësimin e veçantë, që ai dhe stafi i tij i bëjnë marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar dhe rëndësinë prioritare për investimet britanike, që sipas tij “janë një mundësi reale për zhvillim ekonomik e kulturor në veriun e Shqipërisë”, por edhe për një impuls të shtuar të faktorit mbështetës në përmbushjen e ambicies për të ndryshuar Shkodrën dhe për t’ua kthyer atë shkodranëve, me gjithë madhështinë dhe bukurinë e saj, resurset dhe kapacitetet promovuese dhe përfaqësuese; kulturore dhe artistike, por edhe kulinarike dhe etnografike, si një aset i çmuar për vitalizmin e turizmit dhe zhvillimit ekonomik.
Kjo mbrëmje festive shkodrane ishte një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer ide dhe për të forcuar lidhjet me Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë ngjarje të magjishme të sharmit dhe mikpritjes shkodrane, nuk kishte se si të mungonte çaji i mrekullueshëm britanik dhe bashkëbisedimet me përfaqësues të rëndësishëm dhe të eksplorimit të mundësive të reja për bashkëpunim dhe zhvillim. Ishin gjithashtu në këtë mbrëmje edhe personalitete të pushtetit vendor, politikës, artit dhe kulturës.
“Great British Tea Party” – një mbrëmje me miq e kolegë për të promovuar marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar. Investimet britanike janë një mundësi reale për zhvillim ekonomik e kulturor në veriun e Shqipërisë.” shkruan në postimin e tij Benet Beci.

Mbrëmja ishte festive, sepse e tillë do të ishte mikpritja shkodrane dhe vlerësimi i miqësisë dhe marrëdhënieve të Shkodrës me Mbretërinë e Bashkuar.

Koha Jonë

SHKARKO APP