Benet Beci uron “Drekën e mirë nga Shkodra!” me tavë krapi

Kryebashkiaku Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku përcillet një drekë e improvizuar e Festës së Tavës së Krapit, uron “Drekën e mirë nga Shkodra!”.

E ku më mirë se në Shkodër festohet, e me çfarë më mirë se me tavë krapi mund të pihet vera dhe të ngrihen dolli, të bashkohesh me miq dhe të kuvendosh, të këndohen këngë e të magjepsesh nga muzika shkodrane.

Në Shkodër dhe vetëm në Shkodër mund të lind dhe të jetojë një traditë kaq e bukur. Padyshim që e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa kontributin dhe mbështetjen e veçantë të kryebashkiakut, Benet Beci.

Shumë vetë kanë dëgjuar për Tavën Shkodrane të Krapit. Shumë të tjerë sapo u ka rënë rruga në Shkodër kanë patur dëshirë ta provojnë atë. Ka nga ata që kanë ngelur të kënaqur ka nga ata që edhe jo. Madje  edhe në qytete të tjera, përveç Shkodrës është eksperimentuar të gatuhet një tavë e tillë, por mjeshtrit e vërtetë të gatimit të saj nga Shkodra thonë se ajo çdo gjë mund të jetë, vetëm jo një tavë shkodrane e krapit.

Por çfarë ka të veçantë kjo gjellë dhe pse shkodranët e kanë mbajtur dhe e mbajnë atë për  një  lloj krenarie?!

Shkodra njihet si pjesë e Ballkanit dhe si e tillë edhe në artin e kulinarinë ka dominuar kuzhina orientale. Kjo kuzhinë ka si të veçantë të asaj kohe se dominojnë yndyrnat dhe salcat e ndryshme. Në këtë familje gjellësh futen edhe tava e krapit shkodrane. Thuhet shkodrane sepse ajo ka të veçantat e veta me shumë gatime të ndryshme që bëhen si në Shkodër ashtu edhe në disa qytete të tjera. Ajo ka një recetë krejt të veçantë si në sasinë ashtu edhe në llojet e asortimentëve të saj që kanë lidhje direkt me zonën e Shkodrës.

Kjo tavë e ka zanafillën e saj që me lindjen dhe zhvillimin e pazarit të Shkodrës, ku akshijtë (guzhinierët siç quheshin në atë kohë) e zhvilluan përpunimin e peshkut në përgjithësi dhe të krapit në veçanti. Një ndër pionerët dhe gatuesi më i mirë i Tavës Shkodrane të Krapit njihet Cuk Marku, i cili në lokalin e tij gatuante vetëm Tavë Krapi dhe asgjë tjetër. Njerëzit vinin nga të gjitha lagjet e qytetit për të ngrënë Tavën e tij në pazarin e vjetër, pranë Urës së Bunës.

Për shkodranët Tava e Krapi ishte një lloj mburrje pasi vetë Krapi është ndër peshqit i veçantë që kultivohet në liqenin e Shkodrës. Në tyrezat dhe gostitë e ndryshme familjare në Shkodër tryeza nuk ishte e plotë në rast se nuk kishte të servirur Taven e Krapit. Për madhështinë dhe historinë e saj ka shumë ndodhi nga jeta e gatimit dhe e servirjes së tij. Kryti i krapi zakonisht i servirej njeriut më të rëndësishëm të tavolinës, në shenjë dallimi si dhe mikut më të rëndësishëm në shenjë respekti. Kaq shumë është  respektuar një traditë e tillë sa që në vitet ’30, shkodranët mbajnë mend se në një tavolinë burrash si ishte zakoni, serviret tava e Krapit, por të zotët e shtëpisë ishin në siklet se kujt t’ia jepnin krytin e Krapit. Kur e kanë parë se asnjë nga të ftuarit  si dhe i zoti i shtëpisë nuk po vendosnin dot atëherë njëri nga personat e kamur të qytetit të Shkodrës u drejtohet burrave në tavolinë: “I fali dy ditar tokë atij që ma jep mua krytin e krapit”, – dhe i zoti i shtëpisë nuk hezitoi për t’ia dhënë, duke fituar kështu tokën e premtuar në sy të burrave të sofrës.

Albert Vataj / Koha Jonë

SHKARKO APP