Berisha: 18 dhjetori është datë që Bashës ja caktoi Rama
Pasi Lulzim Basha bëri me dije se i kërkon kryesisë së PD-së që Kuvendi Kombëtar i PD-së të mblidhet me 18 dhjetor, ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp. Berisha thotë se askush nuk mund ti nëpërkëmbë 4200 firmat e anëtarëve të PD-së.
”4200 guximtarë u ngritën mbi të gjitha format e presioneve dhe firmosën për rivendosjen e pluralizimit, për çmontimin e narkoshtetit dhe një të ardhshme për shqiptarët në vendin e tyre.
Përpjekje të tilla për të bllokuar në një mënyrë apo tjetër vullkanin apo këtë lëvizje janë sa qesharake aq edhe të turpshme. 5 ditë pas dorëzimit të 4200 firmave pengkryetari i PD mbledh Kryesinë falso apo fake të kësaj partie, e cila në masën 60% të saj është zgjedhur në dhunim të statutit të partisë. Jo me votën e fshehtë të Këshillit Kombëtar por emëruar nga kryetari i PD.
Njofton datën që i jep Edi Rama, 18 dhjetorin. Nuk do të ketë asnjë forcë që mund të nëpërkëmbë firmat e demokratëve. Nëse Kuvendi mblidhet, mblidhet datën e shpallur prej tyre. Jo sipas rendit të ditës së pengkryetarit”.