Berisha: Ajo që po bën Basha, ligësi progresive e pandalshme
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson ligësi që shpaloset ditë pas dite qëndrimin gjithnjë e më të ashpër të Lulzim Bashës ndaj tij. Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, Berisha tha se në këtë aspekt, Basha është unik në historinë e politikës postkomuniste.
”Në politikë, qëndrimet ndryshojnë, por arsyetohen dhe argumentohen. Më kujton një tregim të Lazer Stanit, ku shkojnë duke u hequr cipat njëra pas tjetrës. Në këtë moment Basha shëmbëllen si një njeri që në çdo fjalë dhe çdo ditë i heq vetes një cipë të ligësisë së tij. Njeriu nuk mund të bjerë në kundërshtira, në armiqësira. Kufijtë i ka për veten e tij. Ky e lëshon veten në mënyrë të përditshme me gjuhë që dëshmon se koha është ajo që tregon të vërtetën, gënjeshtrën, ligësinë, virtytin.
Çdo ditë shpalos një nga këto aspekte të karakterit të tij që është unik në këto 30 vitet e fundit. Çdo politikan në këto vite, në çdo vështirësi që ka rënë ka arritur të marrë vendim që kanë treguar integritet politik. Njeriu ruan një sens të politikanit. Është e njëjta gjë që bën ky kur do të shesë në mes të ditës 2000 për 5000.
U thotë shqiptarëve që janë 5000. E kam thënë është në denial. Është në një ligësi progresive të pandalshme. Dostojevski thotë për gënjeshtrën që njeriu që gënjen arrin në atë fazë sa beson edhe gënjeshtrat e tij. Ky thotë që është njeri i rrezikshëm, që kalon nga homo sapiens në qenie tjetër”.