Berisha akuza Kodhelit për trafikun e drogës. Balla: Ke udhëtuar me Fekën në 2012, je ulur në Lazarat?
Deputetët demokratë i janë rikthyer akuzave ndaj Qeverisë për lidhjet e saj me trafikun e drogës. Deputeti Sali Berisha akuzoi ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se është e lidhur me trafikun e drogës pas rrëzimit të helikopterit me drogë në Spanjë, ndërsa e pilotonte majori Sokol Feka.
Por deputeti socialist Taulant Balla tha se ka prova që ish-kryeministri Berisha ka udhëtuar në helikopter me Sokol Fekën. Balla tha më 24 mars të vitit 2012, kohë kur Berisha ishte kryeministër, ka qenë në të njëjtin helikopter me Fekën në një udhëtim drejt Gjirokastrës.
“Të gjithë qytetarët e dëgjuan sulmin kundër ministres, thatë se ishte pudrosur me lëndë narkotike. Kam një procesverbal që ke udhëtuar me helikopter me Sokol Fekën drejt Gjirokastrës më 24 mars të vitit 2012 ora 09:07, rrezik je ulur në Lazarat.
Pse nuk jep përgjigje për këtë major që ka qenë 5 herë i dënuar nga gjykata dhe i dekoruar nga ju. Forcat e Armatosura janë dinjiteti i një kombi. Mësoje sot, nuk kemi asnjë nga ne të hedh akuza kundër FA”, tha Balla.
Deputeti socialist tha se Sokol Feka është pranuar në radhët e Forcave të Armatosura në vitin 1996, kohë kur në krye të Forcave të Armatosura ishte Sali Berisha, si president i vendit.
“Mos e përmend rastin e Sokol Fekës se ky person është pranuar në FA kur komandant i FA ke qenë ti, në ‘96 kur ishe President. Çdo akuzë që ngre ti të kthehet mbi kokë”, tha Balla.
Ai akuzoi se në kohën e qeverisjes së djathtë nga 500 aplikantë për FA janë pranuar 450 duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej 103 milionë lekë.
“Në Maj të 2013-ës, nga 500 aplikantë, 450 janë shpallur fitues nga ju. Dëmi me urdhër të këtij (duke ju drejtuar Berishës) shkon në 103 milion lekë, i ka marrë aplikantët për zgjedhje”, tha Balla.
Reagimi i deputetit socialist erdhi pasi ish-Kryeministri Berisha akuzoi ministren e Mbrojtjes dhe FA si të përfshira në trafikun e drogës.
"Ligji që ka ardhur sot, vjen në parlament pasi Ushtria shqiptare u bë objekt sulmesh denigrimesh më të pamerituara. Ushtria sot është institucioni shqiptar më i integruar.
I integruar në kuadrin e plotë të operacioneve e veprimeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të shkëlqyer. Ushtria shqiptare në vite bëri një seri reformash të dhimbshm e dhe të thella. U testua në vite si një ushtri e denjë.
Në vite kreu operacionet në Afganistan , nga më të rrezikshmet. Një njësi e vogël por që i dha vendit nder të madh.
Drejtuesit e saj ushtarakë, që rëndomë i flasin “Gjeneral trafiku”, kanë nisur një betejë amorale të turpshme ndaj Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare.
S’ka ndodhur kurrë që një Shef Shtabi të sulmojë opozitën siç ka bërë gjeneral trafiku. Gjeneral trafiku u bë protagonist kryesor i shkarkimit të gjeneral Gervenit, sepse kishte vendosur shenja në uniformë që si kishte marrë.
Por edhe gjeneral trafiku kapardisej me dekorata që si kishte marrë kurrë. Në tenderin e karburanteve, mbahen tek kompania në depot e saj, në magazinat e Ushtrisë. Se çfarë pazaresh bën ministrja me gjeneral trafikun do ta sqarojmë në të ardhmen. Dhjetëra mijëra metra tokë të Ushtrisë janë ndarë mes drejtuesve .
Dosja do shkojë në prokurori. Nuk mund të lejojmë rrënimin e ushtrisë.
Ministren rëndomë e thërrasin “Ministrja pilote”, “Mimi Feka”.
Zonjë je e pudrosur nga major Feka, nga pluhurat që transportonte", tha ai.