Berisha apo Meta, cili është lideri i opozitës?
Berisha apo Meta, cili është lideri opozitës?
Nga Daniel Muçaku-
Opozita tashmë ka dy liderë. Nuk është më si përpara datës 25 prill të vitit të kaluar kur vetëm lulzim Basha ishte lideri absolut në opozitë.
Sali Berisha është njëshi i demokratëve dhe ka numrat në opozitë. Mosha nuk ja lejon shumë që të jetë lider absolut dhe i kudondodhur, por ai prapë nuk e lëshon kollaj karriken e liderit. Ndonëse me një nongrata pas vetes së tij nga amerikanët dhe nga sherret në PD se kush do ta ketë siglën e vulën e partisë nga gjykata e Apelit në Tiranë, përsëri Berisha nga natyra e tij si lider historik dhe me autoritet që nuk pranon njeri mbi vete në sensin e drejtimit politik në një front opozitar. Ai, pra Sali Berisha, e ka të vështirë të pranojë që Ilir Meta të jetë lider i opozitës.
Nga ana tjetër Ilir Meta është më i ri në moshë, bile shumë më i ri në raport me Berishën dhe ka inat personal me Edi Ramën, por ka edhe tonin propogandistik sepse e ngrenë zërin me shumë se sa Saliu duke krijuar idenë se Ilir Meta ka një ushtri të madhe pas vetes, ndonëse është Berisha që ka batalionet me numra opozitarësh.
Sido ta shikosh, përsëri Meta është më përpara Sali Berishës në retorikën ndaj kryeministrit Rama si dhe në kërkesat më të ngutshme si “qeveri teknike”, “muaji shtator rrëzohet qeveria”, etj parulla të thëna nga Ilir Meta.
Të gjitha këto që kërkon Meta janë strategji dinake e tij sepse e di se krejt demokratët duan brenda një nate ta rrëzojnë qeverinë, bile mundësisht të hyjnë në zyrën e kryeministrit që të shikojnë si turmat popullore të ulen zyrën e tij plot piktura murale.
Në fakt Ilir Meta nuk është se e ka shumë qejf Sali Berishën si lider apo si drejtues kur ai (Saliu) përcakton linjën e opozitës dhe të protestave.
Ilir Meta e ka ndarë mendjen për përplasje fizike me turma ndaj qeverisë në muajin shtator, kurse Berisha luan fort, por me kujdes se e di që amerikanët nuk e duan dhe po hartojnë një plan për ta futur brenda ne burg.
Edhe vizita e fundit e drejtuesit të SPAK dhe të BKH në SHBA, flitet se ishte edhe në kuadrin e dorëzimit të disa dokumentave nga DASH dhe segmente të tjera që merren me antikorrupsionin.
Dosja u është dorëzuar dhe tashmë gjendet në zyrën e Arben Krajës në Tiranë.
Berisha dhe Meta janë bërë tashmë si vellëzërit siamezë, pasi kanë të njëjtin fat politik, ndonëse Meta muajt e fundit ka ca drita jeshile nga ambasada amerikane në Tiranë. Kurse për ish-kryeministrin Berisha semafori amerikan është me të kuqe non stop. Në një farë mënyre edhe Ilir Metës i intereson që Berisha ka një gur në qafë dhe i rëndon sa herë don të ngrihet rrugës për në sheshin para kryeministrisë kundër Edi Ramës.
Por edhe Berisha luan me mjeshtri, sepse është politikan me karrierë dhe eksperiencë të gjatë. Kur thuhet se njerin nga të dy do ta marrë drejtësia, natyrisht se sejcili ruan veten e tij, duke menduar se “le të marrin atë tjetrin!. Duket se Meta ka ecur një hap më përpara me amerikanët dhe nuk do të ketë probleme, sepse derisa tentuan ta nxirrnin me dosje, do të thotë se nuk duhet të kenë dokumenta korrupsioni siç akuzon qeveria.
Edhe Berisha luan kundër Ilir Metës sepse ish-presidenti Meta synon të jetë kandidat për kryetar bashkie në Tiranë. Në kryeqytet Berisha ka ushtrinë e tij të pa ngopur që mezi rri tash sa vite duke prit ndonjë copë mishi të bjerë nga bashkia dhe nuk ka sesi të lerë Ilir Metën të marrë thelën e madhe të bashkisë.
Në Tiranë ndodhet gjysma e popullsisë së Shqipërisë. Po kështu në Tiranë ka leje ndërtimi e gjithcka i duhet tjetër biznesit të madh.
Ndaj Berisha dhe PD do ta kenë të vështirë të gëlltisin në lugën e Ilir Metës, që natyrisht do të ushqejë njerëzit e Partisë së Lirisë, nëse i lenë Bashkinë për të kandiduar.
Pra Berisha dhe Meta janë bashkë kundër Edi Ramës, porse edhe bashkë nuk e duan njeri tjetrin.
Halli i ka zënë të rrijnë në një FRONT.