Berisha: Basha me ”pupël opozitë”, Rama na bëri delen e zezë të Europës

Nga ”Foltorja” në Korçë, ish-kryeministri Sali Berisha ndër të tjera e ka cilësuar Lulzim Basha si tradhëtar dhe se ka krijuar një ”pupël opozitë”, ndaj dhe Edi Rama vijon të jetë kryeministër. Berisha po ashtu u shpreh se për shkak të opozitës së dobët të kreut Basha, janë larguar nga vendi edhe një pjesë e të rinjve për shkak se nuk shohin të ardhme.

”Në mos suksesin tonë qëndron dhe përgjegjësia jonë. Po pse ky mos sukses? Në qoftë se do ishte një opozitë e fortë, jo një pupël opozitë, Edi Rama s’mund të bënte kurrë këto që ka bërë. Po pse ikin çdo ditë të rinjtë? Sepse s’kanë besim as tek ai as tek ne, se po të na shihnin ne si forcën e fitores nesër, do prisnin. PD këto vite për fat të keq kontraktoi një borxh të madh ndaj shqiptarëve”.

Akuza Berisha lëshoi edhe për kryeministrin Edi Rama, kur tha se e ka bërë Shqipërinë si delen e zezë të Europës. Për të Shqipëria u kthye në vendin e dytë në botë për korrupsion.

”Nga kjo qeverisje, Shqipëria u shndërrua në delen e zezë të Ballkanit dhe të Europës; nga kjo qeverisje u ndërtua në Shqipëri sipas analistëve të institucioneve të shquara, narkoshteti i parë në Europë. Nga kjo qeverisje, Shqipëria u kthye në vendin e dytë në botë për korrupsionin. Nga kjo qeverisje, 520 mijë shqiptarë u larguan pesë vitet e fundit nga Shqipëria. Shqipëria sot është vendi me rrogat më të ulëta në rajon, ndërkohë që 8 vite më parë, kishte rrogat më të larta. Nga kjo qeverisje humbëm yllin tonë polar, që ishte integrimi në Bashkimin Europian”.

SHKARKO APP