Berisha deklaron se ka marr dokumente nga burimet në SPAK për ministrin Taulant Balla, por jo vetëm…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha këtë të enjte në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronwes Albania se dosja e SPAK me numrin “26/1” përmban çështje në të cilat sipas tij janë të përfshirë kryeministri Edi Rama dhe deputeti socialist Taulant Balla. Sipas Berishës, kjo është një dosje, nuk po hetohet vetëm nga SPAK, por edhe nga agjenci dhe shërbime të huaja.
“Dosja 26/1 është dosja e ferrit dhe e tmerrit Balla – Rama. Po të vini re ju edhe në konferencën e fundit të Ramës, kur i thotë gazetari për dosjen, atij i dridhet zëri. Ka të tjerë më shumë se unë, tha ai. Sepse ka edhe një faktor ndërkombëtar shumë të rëndësishëm. Televizioni kombëtar belg i nxori emrin atij. Nuk ia nxori Altin Dumani emrin, por ia nxori televizioni kombëtar i Blegjikës”, – tha Berisha.
I pyetur se për çfarë çështjesh bëhet fjalë në këtë dosje, ish-kryeministri dha pak detaje.
“Për Ramën mund të mos ketë çështje që nuk është i përfshirë. Rama është i zhytur në gjëra nga më të pakonceptueshme. Dosja 26/1 në dijeninë time është dosja, Balla-Rama, por atë nuk e ka vetëm Dumani, e kanë disa agjenci dhe shërbime të huaja. Çështja e luftës kundër kriminalitetit është çështje e sigurisë kombëtare”, – tha ai.
Berisha tha se të gjitha përgjimet e publikuara prej tij ku përmenden eksponentë të rëndësishëm të PS janë të bazuara në fakte dhe dosje konkrete. Kreu i PD u shpreh se të gjitha i ka të provuara dhe SPAK nuk mund ta përgënjeshtrojë.
“Unë jam njëri i ligjit dhe pas gjithë këtyre proceseve nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme. Kur unë gjej dosjen që më vjen nga SPAK apo burime të tjera kur thuhet Tao mori porosi të shkojë e të lirojë 2 vrasësit që i vunë Lulzim Kullës tritolin në shalën e biçikletës, akt i mirëfilltë terrorist…a mund të them gjë tjetër veç organizatë kriminale.
Shembull tjetër Toyota Yaris është implikuar në të gjitha etapat e atij krimi, e kanë dosjen aty… SPAK nuk më përgënjeshtron dot si i nxjerr dokumente, nuk mundet kurrë unë… mund të bëjë një gjë ndonjëherë për të mbrojtur dëshmitarët i spostoj pak këtej pak andej. Një nga një do ju faktoj shqiptarëve se ata janë një organizatë e mirëfilltë kriminale” – tha Berisha.